Kompania për mbledhje të detyruar “Cios Grupa” pretendon se “Hekurudhat e Maqedonisë – Transport” kanë një borxh që nga 3,85 milionë euro ka arritur në mbi 25 milionë euro deri në fund të vitit 2023. Sipas “Cios”-it, kërkesa është e garantuar me garanci shtetërore, bazuar në marrëveshjet në kuadër të Unionit Ndërkombëtar të Hekurudhave të vitit 2004. “Cios” kërkon zgjidhje jashtëgjyqësore për borxhin.
Nga “Hekurudhat e Maqedonisë – Transport”, ndaj të cilëve kërkohet pagesa, nuk ka koment zyrtar.
“Sipas burimeve jozyrtare nga kompania maqedonase, borxhi nuk është krijuar gjatë kohës së udhëheqjes aktuale dhe për çështjen nga viti 2023 po zhvillohet një proces gjyqësor në Gjykatën Themelore të Shkupit. Derisa të ketë përfundim ligjor, ku duhet të bëhet edhe ekspertizë për kërkesën, nuk do të ketë as komente”, raporton gazetari i TV21, Goran Temenugov.
Sipas dokumenteve të dorëzuara, ky borxh shumëvjeçar është krijuar sepse në periudhën 1991–1995 “Hekurudhat Kroate – Cargo” kishin një kërkesë të papaguar nga “Hekurudhat e Maqedonisë” në shumën prej 3,85 milionë euro. Ky borxh, sipas “Cios Grup”, është njohur ndërkombëtarisht me Marrëveshjen me Unionin Ndërkombëtar të Hekurudhave, të nënshkruar në qershor të vitit 2004, me të cilën Republika e Maqedonisë mori përsipër obligimet e “Hekurudhave të Maqedonisë”. Për këtë arsye, shteti atë vit ka dhënë një garanci shtetërore me Ligjin për Garanci, i publikuar në Fletoren Zyrtare.
Pasi “Hekurudhat Kroate” nuk e kishin arkëtuar borxhin, në vitin 2010 “Cios Grup” e bleu atë në një tender ndërkombëtar, duke u bërë kështu kreditor, pra “HM – Transport” tani i detyrohet atyre. Për këtë, kompania e Maqedonisë ishte njoftuar në vitin 2011. Në momentin e blerjes së borxhit, përveç shumës kryesore prej gati katër milionë eurosh, kishte edhe mbi tetë milionë euro kamatë, që e sillte totalin në rreth 12 milionë euro. Meqë kamatat llogariten sipas normës mujore të EURIBOR-it të rritur me 5 pikë përqindje, me interes të përbërë, borxhi tani ka kaluar 25 milionë euro.
“Cios Grup” bën thirrje për marrëveshje, në mënyrë që të ndalet rritja e mëtejshme e kamatave, të cilat sipas përllogaritjeve të tyre shtohen me rreth 2 milionë euro në vit.
