Borrell: Ndoshta Blinken ka më shumë informacione, nuk tërheqim diplomatët nga Ukraina

TË FUNDIT

Bashkimi Evropian (BE) nuk po ndjek SHBA-në në tërheqjen e familjeve të diplomatëve të saj nga Ukraina, theksoi sot shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, mes frikës në rritje për pushtimin rus.

“Nuk mendoj se duhet të traumatizojmë negociatat në vazhdim. Nuk mendoj se duhet të largohemi. Por ndoshta Sekretari i Shtetit (Antony) Blinken ka më shumë informacione që ai do të ndajë me ne”, u tha Borrell gazetarëve përpara një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.

Ministrat do të vlerësojnë propozimet e Moskës për aranzhimet evropiane të sigurisë dhe ngritjen e ushtrisë në dhe rreth Ukrainës, dhe Blinken pritet t’i bashkohet seancës përmes video-lidhjes.

Më herët, qeveria amerikane urdhëroi familjet e gjithë personelit amerikan në ambasadën amerikane në Ukrainë që të largohen nga vendi.

“Departamenti i Shtetit mori vendimin për të autorizuar largimin nga misioni i Ukrainës për shkak të kujdesit të madh si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme ruse për të destabilizuar vendin dhe për të minuar sigurinë e qytetarëve ukrainas dhe të tjerëve që vizitojnë ose banojnë në Ukrainë”, theksoi në një deklaratë ambasada e SHBA-së në Kiev.