Në intervistën për gazetën gjermane Frankfurter Allgemajne Cajtung, kryeministri bullgar, Bojko Borisov edhe përkundër asaj që ka përsëritur se Sofja shumë dëshiron që Shkupi t’i fillojë negociatat, megjithatë edhe më tej i përmendi si të hapura çështjet e identitetit. Në pyetjen rreth vetos për Maqedoninë, ai ka deklaruar se historia është e rëndësishme dhe pohon se maqedonasit më herët kanë qenë bullgarë.
“Komunistët bullgar dhe Internacionalja komuniste, të kontrolluar nga Moska e Stalinit ishin fajtor që me fuqi i asimiluan bullgarët në maqedonas pas luftës së dytë botërore. Bullgarët ishin të detyruar që të quhen maqedonas. Nëse tani në procesin e aderimit në BE paraqiten disa pohime të caktuara të gabuara dhe unë nuk reagoj, oponentët e mi politik do të thonë se Borisov e shet historinë bullgare dhe se bie pre e presioneve nga partnerët evropian”, tha Bojko Borisov – kryeministër i Bullgarisë.
Në pyetjen se a ka dalje nga gjendja aktuale në të cilën Sofja e bllokon fillimin e negociatave, Borisov u përgjigj me atë që nuk ka pakicë maqedonase në Bullgari.
“Për mua ishte befasi e madhe Rezoluta e fundit në Parlamentin evropian për Bullgarinë, ku u hap tema për kinse pakicë maqedonase në Bullgari. Në Bullgari nuk ka pakicë maqedonase. Ju lutem, çfarë pakice maqedonase ka në Bullgari!? Unë nuk di të tillë. Për herë të parë nga ajo Rezolutë kuptova se ekziston diçka e tillë”, u shpreh kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov.
Menjëherë pas publikimit të intervistës, Zaev publikoi status, në të cilin porosit se nuk kemi vetëm dallime etnike dhe të identitetit. Edhe përkundër asaj që nuk e përmend intervistën, porosit se nevojitet hapërim drejt zgjidhjes së problemit, e jo ofendime dhe urrejtje.
“Unë jam maqedonas, që flas në gjuhën maqedonase, e pranuar nga gjithë bota. Karakaçanov është bullgar që flet në gjuhën bullgare, e pranuar nga e gjithë bota. Por dallimi etnik dhe i identitetit nuk janë të vetmet mes nesh. Unë punoj në përafrimin e qëndrimeve sesa të dallimeve dhe e di se kjo është e mundur vetëm përmes këmbimit të ideve dhe mendimeve, e jo përmes ofendimeve dhe porosive të padenja. Popujt tanë presin hapërim drejt miqësisë e jo gjuhë të urrejtjes”, theksoi Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Ndihmës sekretari shtetëror i SHBA, Filip Riker, deri te kryeministri Zaev dërgoi letër me porosi për mbështetje në, siç ka theksuar, përpjekjet e përbashkëta me partnerët evropian për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut gjatë kohës së kryesimit gjerman.
“Ju inkurajojmë juve dhe vendeve anëtare të BE të vazhdoni të kërkoni zgjidhje për çështjet dypalëshe jashtë procesit të integrimit të vendit tuaj në BE dhe të realizoni progres në këto aspirata me hapjen dhe mbylljen e kapitujve në negociatat”, shkruan Ndihmës Sekretari amerikan, Filip Riker.
Këshilli për punë të përgjithshme duhet të mbahet më 8 dhjetor kur do të dihet se a do të mbahet Konferenca e parë ndërqeveritare me çka në mënyrë praktike do të fillojmë negociatat me BE ose Bullgaria përsëri do të na bllokojë.
