Manifesti ka për qëllim të japë edhe një herë garanci se negociatat do t’i zhvillojmë së bashku, në mënyrë transparente, efikase dhe efektive, sepse qëllimi ynë i përbashkët është që Maqedonia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030, deklaroi nënkryetari i LSDM-së, Stefan Bogoev, në SummerClick të TV21, duke i bërë thirrje opozitës që të thotë se çfarë është problematike në Manifestin e propozuar për negociata me Bashkimin Europian, pasi që nga VMRO-DPMNE deklaruan se me këtë hap, edhe një herë, lëshohet mundësia për konsensus.
“Le të thonë se çfarë është problematike në Manifest?! Se Manifesti garanton mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës sonë maqedonase dhe vendosmërinë kombëtare maqedonase? A është kjo e diskutueshme? Çfarë diskutohet në Manifest? A është e diskutueshme përpjekja për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian deri në vitin 2030? Le të thonë atë që kontestohet, këtu po debatojnë, kanë dashur të jenë pjesë e përpilimit të nuk e di çfarë, le të thonë çfarë kontestohet?”, tha Stefan Bogoev, nënkryetar i LSDM-së.
Nga VMRO-DPMNE edhe sot me kritika për këtë dokument se nuk i kanë konsultuar por vetëm kërkohet prej tyre që ta pranojnë. Megjithatë, thonë se do të prononcohen pasi e shqyrtojnë të njëjtin.
“Përveç se me këtë hap ata pranojnë se nuk kanë lëvizur as një milimetër në drejtim të realizimit të interesave strategjike të shtetit, ata demonstrojnë edhe mungesë të kapacitetit për ndërtimin e konsensusit. VMRO-DPMNE pasi e pranon në mënyrë zyrtare këtë dokument, nëse ka bazë për ta shqyrtuar, do ta analizojë dhe do të dalë me qëndrim të vet”, theskoi Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Bogoev, rikujtoi për marrëveshjen e arritur në takimin e liderëve mes Kovaçevskit dhe Mickoskit me të cilën edhe pse u dakorduan që të formohet qeveri teknike pa BDI-në dhe në këto pozita të vijë VMRO-DPMNE pas çka Kovaçevski tha se do t’u lëshojë edhe një pjesë të posteve të LSDM-së, megjithatë Mickoski u tërhoq. Jozyrtarisht edhe pjesë e ministrave të LSDM-së këto ditë do të dorëzojnë dorëheqje të kushtëzuara që do të hyjnë në fuqi nëse VMRO-DPMNE i përkrahë ndryshimet kushtetuese.
“Ne thamë, eja dhe voto për ndryshimet kushtetuese për të mirën e shtetit dhe qytetarëve për shkak se BE do të thotë progres dhe përparim pas çka do të shpallim zgjedhje dhe paraprakisht do të ketë qeveri të gjerë të cilën BDI do ta braktisë dhe gjysma e ministrive tona do t’ia japim VMRO-DPMNE-së. Tani e kemi mundësinë për BE-në. Tani nëse nuk e bëjmë këtë hap, do të vijojë bullgarizimi. Për shkak se atë që po e flet VMRO-DPMNDE vazhdimisht në fakt është bullgarizimi. Bullgarizim kishim 11 vjet derisa VMRO-DPMNE ishte në pushtet për shkak se brenda atyre 11 viteve janë dhënë një numër rekord pasaportash bullgare”, u shpreh Stefan Bogoev, nënkryetar i LSDM-së.
Nga LSDM-ja bashkë me koalicionin dje ofruan Manifest për negociatat me BE ku thuhet se partitë politike do të bashkohen për procesin eurointegrativ.
