Bllokohet rruga Ropalcë – Nikushtak, 8 fshatra të izoluara

TË FUNDIT

Për gati një javë po vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme dhe e bllokuar rruga në fshatin Ropalcë të komunës së Likovës. Kjo është arteria kryesore që lidh këtë komunë me Shkupin. Reshjet e fundit të shiut kanë shembur dheun duke bllokuar rrugën dhe duke paralizuar 8 fshatra të komunës së Likovës.

Banorët janë të shqetësuar lidhur me situatën e krijuar dhe se ata theksojnë se ka disa ditë që asgjë nuk është ndërmarrë për sanimin e rrugës dhe rikthimin e lëvizjes së tyre normale.

“F. Ropalc edhe siç po e shini edhe vetë, ra shi edhe prishi këtë cka patem këtë përkohosisht edhe këtë qe patem na u prish, janë të njoftuar komuna por skanë marë masa asgjë. Kemi vështërsi shumë”

“Duhet me rregullu këtë, jemi këti vendi. Duhet me ndimu dhe me punu”.

“Shihet se sa është problem, komuna le të blen do xhipa edhe më të mdhoj, kemi pasoja, janë të mdhaja këtu mundet të këtë edhe vdekje”.

Janë shumë banorë të kësaj komune që për nevojat e tyre të përditshme shfrytëzojnë këtë rrugë rajonale për të udhëtuar drejt Shkupit. Ata theksojnë se problem i madh është për të punësuarit në Shkup dhe fshatrat e tjera që shfrytëzojnë këtë aks rrugor, por edhe për rastet e të sëmurëve dhe qytetarëve të tjerë që kanë nevojat e përditshme.

Në vendin ku ka ndodhur shembja e dheut dhe dëmtimi masiv i rrugës janë vendosur vetëm dy shenja nga ana e ndërmarrjes publike të rrugëve, derisa kryetari i komunës, Sadulla Duraku ka theksuar për TV21 se gjendjet jashtë shtetit dhe nuk mund të përgjigjet rreth problemit të kësaj rruge.

Banorët bëjnë thirrje që të ndërhyjnë autoritetet përgjegjëse komunale por edhe ndërmarrja e “Rrugëve të Maqedonisë” për të evituar problemet dhe rikthyer lëvizjen normale në këtë aks të rëndësishëm rrugor.