“Unë këtë tokë që e kamë këtu, unë kam rujt fëmijë me këtë. Me 400 denarë a e jep ti token tënde midis rrafshit, 5 mijë kilogram grurë mi ka bë një hektar në atë vend”, tha Izaim Shkreta – pronar i tokës.
Izaim Shkreta është pronar i njërës parcelë përmes së cilës po ndërtohet autostrada Shkup-Bllacë.
Ndonëse autoritetet në fund të vitit 2020 thanë se ka përfunduar shpronësimi i tërësishëm i pronave, disa pronarë thonë të kundërtën.
“Unë nuk jam për me ndal rrugën këtu, se edhe unë e eci këtë rrugë. Ku ka 4 euro tokë, le të më japin ndërrim në Shkup në ndonjë vend, do paguj edhe më tepër”, tha një tjetër pronar i tokës.
Meqenëse nuk u morën vesh banorët gjatë shpronësimit të tokave tani janë në procedurë gjyqësore për një çmim përfundimtar.
Sot në një pjesë ku po ndërtohej autostrada ishte edhe drejtori NP “Rrugët shtetërorë” Ejup Rrustemi. Ai tha se si do të vendos gjyqi për çmimin ashtu do të paguhen tokat.
“Kemi disa pjesë të disa parcelave që pronarët e pacelave nuk kanë qenë të kënaqur me çmimin që u është ofruar nga vlerësuesi shtetëror. Për gjithë ata të cilët nuk janë pajtuar me çmimin e shpronsimit të asaj pjese vazhdojnë proceset gjyqësore dhe në momentin që procesi gjyqësorë do të mbarojë dhe gjyqi do të vlerësojë për çmimin e asaj toke, kur do të vijë vendimi i gjyqit ne do të bëjmë pagesën në bazë të vendimit gjyqësorë”, deklaroi drejtori i NP “Rrugët Shtetërore”.
Ministri i transportit Bllagoja Boçvarski deklaroi se punimet në fazën e parë priten të përfundojnë në mesin e vitit 2022, por nuk dha afat se kur do të përfundojnë punimet në përgjithësi për këtë autostradë nga Shkupi deri në Bllacë.
“Në këtë moment nuk mund të themi sa do të vonohet, por mund të tregojmë cili do të jetë hapi i radhës ashtu është më serioze ndaj qytetarëve”, potencoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoja Boçvarski.
Ai shtoi se për pjesën e dytë, e cila është në gjatësi prej rreth 10,5 kilometra, projekti do të përgatitet deri në fund të këtij muaji dhe do të jepet për rishikim.
Ndryshe Rrustemi dhe Bocvarski inspektuan punimet, ndërsa deri tani janë shtruar 400-450 metrave të autostradës.
