Rrafshnalta e Golanit është e rëndësishme për sigurinë e Izraelit, deklaroi sekretari shtetëror amerikan, Antoni Blinken, pa e konfirmuar vendimin e kabinetit të ish-presidentit Donald Tramp për njohjen e sovranitetit izraelit ndaj këtij territori të okupuar.
Trampi në vitin 2019 zyrtarisht e njohu Rrafshnaltën e Golanit si pjesë përbërëse e Izraelit, duke e shënuar me këtë hap fundin e politikës të cilën Uashingtoni e mbështiste tashmë disa dekada.
Rrafshnalta e Golanit deri në vitin 1967 ishte pjesë e Sirisë, ndërsa Izraeli e okupoi dhe aneksoi me luftën e tij viti. Bashkësia ndërkombëtare nuk e njeh rezultatin e aneksimit.
“Sa i përket praktikës, kontrolli ndaj Golanit në situatë të tillë, sipas mendimit tim, është realisht i rëndësishëm për sigurinë e Izraelit”, tha Blinken për Si-En-En.
“Çështjet juridike janë diçka tjetër dhe nëse situata në Siri ndryshon, ne e shqyrtojmë këtë, por nuk jemi as afër një vendimi të tillë”, shtoi sekretari shtetëror amerikan.
Mediat britanike vërejnë se këshilltarët e presidentit amerikan për momentin paralajmërojnë se SHBA-ja nuk do ta tërheqë njohjen e sovranitetit izraelit ndaj Rrafshnaltës së Golanit.
Blinken në intervistën për Si-En-En, gjithashtu, theksoi se qeveria e presidentit sirian Bashar al-Asad dhe prania e milicive të cilat mbështeten nga Irani, përfaqësojnë “kërcënim të rëndësishëm për sigurinë e Izraelit”.
Ai përsëriti se Uashingtoni do ta mbajë ambasadën në Jerusalem, të cilën kabineti i Tranmpit e njohu si kryeqytet të Izraelit, që përfaqëson kthesë të madhe në politikën amerikane.
Trampi për politikën e Lindjes së Mesme ishte në përgjigje të ngushtë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, aleati i tij më i afërt në rajon, përkujtojnë mediat britanike.
Bajdeni dhe ekipi i tij thanë se do t’i rinovojnë lidhjet me palestinezët, të cilat ishin ndërprerë gjatë mandatit të Trampit. Ata gjithashtu paralajmëruan se përsëri do të fillojnë t’u dërgojnë ndihmë dhe i hodhën poshtë hapat e njëanshëm siç është ndërtimi i lagjeve izraelite në territor të okupuar.
