Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken e paralajmëroi Moskën se çdo agresion i përsëritur ndaj Ukrainës do të shkaktojë “pasoja serioze”.
Paralajmërimi vjen në kushte të shqetësimit të rritur të Perëndimit nga akumulimi i ushtarëve rusë në afërsi të kufirit ukrainas.
Duke folur sot në konferencën për shtyp në Rigë, ku po merr pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, Blinken si “të pazakontë” e vlerësoi shtimin e ushtarëve rusë dhe shtoi se “çdo eskalim i aksionit rus do të ishte shqetësim i madh për SHBA-në”.
Tema të takimit dyditor të ministrave në kryeqytetin e Letonisë janë mbështetja shtesë për armatën ukrainase dhe potenciali për përforcim të forcave të NATO-s të sistemuara përgjatë kufirit lindor të Aleancës.
Rusia, e cila e mori Krimenë nga Ukraina në vitin 2014 dhe i mbështetë separatistët të cilët luftojnë në Ukrainën lindore, mohoi se planifikon sulm dhe e akuzon NATO-n për nxitje të tensioneve.
Në takimin e NATO-s, Blinken do ta cekë fuqinë e marrëdhënieve transatlantike, suksesin e vazhdueshëm të NATO-s në mbrojtjen e komunitetit transatlantik dhe përkushtimin e administratës amerikane ndaj Aleancës dhe aleatëve të saj, ceket në kumtesën e djeshme të Departamentit të Shtetit.
Në kumtesë konfirmohet se përkushtimi i SHBA-së ndaj doktrinës për mbrojtje kolektive është “e çeliktë” dhe vëren se si Aleanca dekurajon dhe mbron nga spektri i gjerë i sfidave të sigurisë, të cilat përfshijnë “eskalim të agresionit rus”.
Aleatët nga tubimi në Rigë dëshirojnë t’i tregojnë Kremlinit se do të përballet me pasoja të mëdha nëse e kërcënon Ukrainës, pa u provokuar Moska për agresion të mëtutjeshëm.
