Të gjithë blegtorët që këtë vit do t’i ruajnë qengjat femra, do të subvencionohen me 1500 denarë për kokë qengji nga ana e shtetit. Këtë vendim e solli Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e 33, si formë ndihme për blegtorët, ka njoftuar përmes profilin e tij në Facebook sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë Nefrus Çeliku.
“Me iniciativë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe në bashkëpunim me Shoqatat e Blegtorëve, sot Qeveria e RMV-së miratoi masën për t’i dalë në ndihmë blegtorisë e cila është një ndër sektorët më të prekur nga situata momentale, si rezulltat i vështirsisë së transportit dhe tregjeve për shitjen e mishit të qengjit në Itali, Kroaci dhe rajon” ka shkruar Çeliku në Facebook, përcjell tv21.tv.
Sekretari Shtetëror sqaron më tej se masa ka për qëllim të mbajë gjallë degën e blegtorisë si një ndër degët më të rëndësishme në vend dhe do të ndikojë tek blegtorët për të shtuar numrin e bagëtive./TV21
