Çmimi i Bitcoin-it ka vazhduar rënien edhe këtë të enjte, duke humbur edhe 11 për qind të vlerës dhe duke zbritur në 66 mijë dollarë, niveli më i ulët i regjistruar në 15 muajt e fundit.
Kriptomonedha më e njohur në botë, e cilësuar shpesh si “ari digjital”, ka humbur 46 për qind të vlerës që nga 6 tetori, kur arriti një rekord historik prej 126 mijë e 210 dollarësh, sipas të dhënave të platformës së tregtimit Coinbase. Rreth orës 10:30 sipas kohës lindore amerikane, çmimi i Bitcoin-it ra në 67 mijë e 245 dollarë.
Pas zgjedhjes së presidentit amerikan Donald Trump në nëntor të vitit 2024, çmimet e Bitcoin-it shënuan rritje për gati një vit, të nxitura nga pritshmëritë e investitorëve për një administratë më miqësore ndaj kriptomonedhave në Uashington. Megjithatë, ky trend tashmë është përmbysur ndjeshëm.
Rënia e fortë ka goditur edhe kompanitë që merren me blerjen dhe shitjen e kriptomonedhave, si dhe ato që e kanë fokus kryesor investimin në Bitcoin. Aksionet e Coinbase Global ranë me 9.1 për qind, ndërsa platforma e tregtimit online Robinhood Markets humbi 8.1 për qind. Kompania e minierave të Bitcoin-it, Riot Platforms, shënoi një rënie prej 10 për qind.
Ndërkohë, Strategy, kompania më e madhe e ashtuquajtur “crypto treasury”, e cila mbledh kapital kryesisht për të blerë Bitcoin, pësoi një rënie prej 13 për qind. Kompania, e njohur më parë si MicroStrategy, deklaron se zotëron mbi 713 mijë Bitcoin, të blera me një çmim mesatar mbi 76 mijë dollarë. Aktualisht, vlera e këtyre aseteve llogaritet rreth 47.8 miliardë dollarë, më pak se 54.3 miliardë dollarët që kompania thotë se ka shpenzuar për to.
Në rënie ka qenë edhe American Bitcoin, kompani ku aksione zotërojnë djemtë e presidentit Trump, Eric Trump dhe Donald Trump Jr. Aksionet e saj ranë me 6.6 për qind dhe tashmë janë mbi 80 për qind më poshtë krahasuar me fillimin e tetorit.
Po ashtu, kanë rënë edhe projekte të tjera kripto të lidhura me emrin e Trump-it. Vlera e tregut e tokenit World Liberty Financial (WLFI) ka zbritur në rreth 3.25 miliardë dollarë, nga mbi 6 miliardë dollarë në mesin e shtatorit. Ndërsa çmimi i monedhës meme $TRUMP aktualisht është 3.93 dollarë, shumë më pak se 45 dollarët që kushtonte pak para inaugurimit të presidentit në janar.
