Bit Pazari në pritje të rinovimit – kushte të vështira, mungesë parkingu dhe papastërti

TË FUNDIT

Tregu më i vjetër në Ballkan, Bit Pazari, akoma dhe sot mbetet me infrastrukturë të vjetëruar.

Punëtorët theksojnë se nuk ka kushte për punë, por mungojnë edhe kushtet sanitare, që ndikojnë edhe në interesimin e konsumatorëve. “Me vite flitet për ndërtimin e pazarit dhe kurrë nuk ka për t’u rregulluar, vetëm me fjalë nuk bëhet, por me punë. Papastërti e madhe në të gjitha anët. Kushtet e vështira, një shi me ra hyn uji brenda. Ne nuk kemi kushte për punë si tregtar që jemi. Edhe parking nuk ka, posa ta lësh veturën jashtë, ata vijnë e dënojnë. Qytetarët më nuk vijnë të blejnë në Bit Pazar se marrin gjoba të parkingut. Me që parking s’ka, si do të ketë profit në këtë pazar? Pazari vetëm se po shkatërrohet”, thotë Afet Ademi, tregtar në Bit Pazar.

Fatbardha, një tregtare e perimeve, përveç se ankohet në rënien e shitjeve thekson se çdo herë kur bie shi, rrjedh çatia dhe bëhet baltë. Mbeturinat, sipas saj janë një problem i madh i tregut. “Dëm shiu na ka bërë shumë, malli na laget dhe shitja është e dobët.  Balta është që në fyt, pastërtia është e dobët. Mbeturinat nga të shkosh i ke. Nuk kemi vend të përshtatshëm për t’i hedhur mbeturinat. Ca i hedhin andej e ca këndej, nuk ka një vend të caktuar për t’i grumbulluar”, tregon kjo tregëtare.

Rexhepi është njëri nga 500 tregtarët e Bit Pazarit që e sigurojnë ekzistencën nga kjo punë. Edhe pse ka pasur premtime, thotë ai, akoma nuk janë realizuar për rregullimin e tregut. “Kushtet janë të vështira në Pazar. Kishte mjaft shi dhe kemi pasur dëmtime të mallit, por patjetër duhet të dalim të punojmë për ekzistencë. Shumë familje të tregtarëve e sigurojnë kafshatën e bukës nga kjo punë”, thotë Rexhepi.

Shqetësimi i qytetarëve në lidhje me parkingjet rreth tregut është shtuar. Përveç se janë në hapësira të vogla, ato janë të uzurpuara nga tregtarët ambulant. Kjo ka bërë që të bie interesimi i blerësve, shprehet një qytetare, e cila ballafaqohet çdo ditë me këtë fenomen. “Parkingu është i vështirë në Bit Pazar, ky është shkaku që ne shpesh nisemi në këmbë prej në shtëpi për të blerë këtu. Parkingjet prapa ambulancës janë larg kur të ngarkohemi me torba”, thekson ajo.

Përveç se është një kënaqësi të blesh në treg produkte të freskëta, ato këtu mund t’i gjesh më lirë se sa në shitoret e mëdha. Ashtu duhet të jetë, nëse Bit Pazari i ofron të gjitha kushtet e përshtatshme – si për konsumatorët, ashtu dhe për tregtarët.

Adnan Qaili