Duke e komentuar qëndrimin e kompanive të mëdha të bukës se ata janë të varur nga prodhimi vendor dhe se me rritjen e çmimeve të rrymës do të rritet edhe çmimi i bukës, kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës, Marko Bislimovski, i porositi se kompanitë e mëdha të furrave ligjërisht janë të obliguara të sigurojnë energji elektrike në tregun e lirë dhe se nuk guxojnë të furnizohen nga “EVN Home”.
“Kompanitë e mëdha të furrave në vend, të cilat sigurojnë pjesën më të madhe, pra mbi 90 për qind të nevojave për bukë, duhet të shkojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike. Asnjëherë nuk janë furnizuar nga furnizuesi universal”, tha Bislimovski.
Për uljen e tarifës së rrjetit nëse rritet çmimi i energjisë elektrike, Bislimovski tregoi se ajo do të përcaktohet në fund të vitit, nëse nuk ka ndryshime drastike.
“Rrjetin në këtë moment ne e përcaktojmë në fund të vitit dhe kështu do të jetë edhe më tej. Domethënë çmimin e rrjetit do e përcaktojmë në fund të dhjetorit, që është sipas metodologjisë, nëse nuk ka ndryshime drastike, nëse e shohim këto ditë që mund ta bëjmë atë, do ta bëjmë. Ajo që ne shohim vazhdimisht është se flitet për kompensim. Unë ju kam ftuar të gjithëve te KRrE t’u tregoj se nëse shfuqizohet ai kompensim, ajo do të thotë rritje e tarifës së lirë për 15%, në bllokun e parë 9%”, deklaroi Bislimovski.
Mandatari, kryeministri në ardhje, Hristijan Mickoski, dje në një emision televiziv siguroi qytetarët se nga 1 janari do të ulet çmimi i rrymës.
“Çdo shtrenjtim ka arsyet e veta. Ne menjëherë pas formimit të Qeverisë do të ulemi t’i shohim mundësitë ligjore që kemi në dispozicion, do i ftojmë edhe ekspertët në një debat dhe diskutim për kthimin e çmimit të energjisë elektrike, përkatësisht të shqyrtojmë edhe mundësinë edhe për ulje, kemi plan, kemi mënyrë në periudhë që vijon se si ta bëjmë”, tha Mickoski.
Përndryshe, për mundësinë e uljes së tarifës së rrjetit nga 1 janari, Bislimovski tha se duhet parë se sa do të jenë humbjet, gjersa rikujtoi se do të ketë qeveri të re dhe udhëheqje të re në EMV.
