Për momentin nuk po zhvillohen negociata në mes pushtetit dhe opozitës për Ligjin për Prokurori Publike, ligj me të cilën rregullohet fati i Prokurorisë Publike Speciale. Ndërsa zv/ministri i drejtësisë Oliver Ristovski theksoi se negociatat për ligjin për PPS nuk do të pushojnë as gjatë verës. Ai shpreson që me partinë opozitare VMRO-DPMNE të gjejnë gjuhë të përbashkët për dallimet dhe kërkesat mbi ligjin e PPS dhe deri në shtator të sillet ky ligj. Ndërkohë mandati i kryeprokurores Katica Janeva përfundon në shtator dhe shtrohet pyetja se kush do të udhëheqë më prokurorinë. Ristovski tha se me ligjin e ri parashikohet që emërimi i të gjithë prokurorëve, përfshi edhe ato të Speciales, të shkojë nëpërmjet Këshillit të Prokurorëve, ndërsa kryeprokurorja Katica Janeva nuk do të ketë asnjë pengesë që të konkurroje në konkursin për prokuror special. Njëra nga idetë është që pas përfundimit të mandatit Janeva të kryej funksionin si ushtrues detyre. Prokurori Gavrill Bubevski tha se nuk sheh pengesë në atë që shefja e PSP-së, Katica Janeva të jetë ushtruese e detyrës derisa ligji ende nuk është në fuqi.
“Për cilin do tjetër nga brenda nuk shoh mundësi sipas Ligjit për prokurori speciale publike, sepse ekipi e përzgjedh prokuroren speciale publike. Por, megjithatë, nëse interpretojmë dispozitat e Ligjit të tanishëm për Prokurori Speciale, vijmë në përfundim se nuk është e ndaluar, të paktën edhe për një vit derisa vlen ligji, që prokurores speciale Katica Janeva ti vazhdohet mandati si ushtruese e detyrës. Këtu nuk shoh asnjë pengesë”, tha Prokurori, Gavrill Bubevski.
Profesori universitar, Gordan Kallajxhiev tha se sistemi gjyqësor në vend është i ndarë në mes Gjykatës Supreme dhe PPS, ndërsa çështjet gjyqësore zakonisht i zgjidhim me prapavijë politike.
“Unë mendoj se gjyqësori duhet të ndalojë të presë vendime nga politika. Siç e shoh unë pritet të sillet ligji, i cili kinse duhej ta përcaktonte ardhmërinë e PPS-së, por veçanërisht ta zgjidhë çështjen rreth asaj nëse hetimet, respektivisht aktakuzat e ngritura 18 muaj pas marrjes së “bombave” mund të vazhdojnë edhe më tej. Sipas meje kjo është e gabuar. E kam thënë disa herë, sepse kjo nuk e zgjidh problemin”, u shpreh profesori universitar, Gordan Kallajxhiev.
Negociatat për fatin e PPS-së kanë ngecur tani disa javë. Kërkesat e partisë opozitare VMRO-DPME janë që të zgjidhet prokurori publik, me propozim të opozitës. PPS t’i mbarojë lëndët gjyqësore të dorëzuara deri më 30.06.2017 dhe të ndalojë ta kryejë funksionin, por edhe të formohet Komision Anketues në Kuvend, i cili do ta vlerësojë punën e PPS-së. Kjo parti vlerëson se në pozitën kryeprokuror në Prokurorinë Speciale duhet të vijë prokuror i ri e jo Katica Janeva.
Përgatiti: Valmira Zendeli
