Kryeministri, Zoran Zaev, dhe kolegu i tij bullgar, Bojko Borisov, kanë pasur bisedë telefonike në lidhje me takimin e ardhshëm në Procesin e Berlinit. Në kumtesën e dërguar nga Qeveria nuk theksohet se për çfarë kanë biseduar rreth çështjeve të hapura dhe vetos bullgare, por vetëm thuhet se janë pajtuar të vazhdojnë me negociatat.
“Kryeministrat Zaev dhe Borisov kanë shkëmbyer informacione rreth përgatitjeve për samitin në Sofje në kuadër të Procesit të Berlinit dhe caktuan edhe një bisedë telefonike në të cilin do të sillet vendim nëse takimi të martën do të mbahet me prezencë fizike në Sofje, apo do të jetë tërësisht online. Zaev dhe Borisov kanë shprehur bindje se do të vazhdojnë të bisedojnë me qëllim që të gjendet zgjidhje e përbashkët për çështjet e hapura dypalëshe”.
Lidhja Demokratike paralajmëron se Bullgaria do të prishë stabilitetin në Ballkan nëse vazhdon me qëndrimin se do të pengojë rrugën e Maqedonisë drejt BE. Thonë se me këtë sjellje fqiu lindor do të rrënojë gjithçka që është arritur në raportet mes dy vendeve në vitet e kaluara.
“Lidhja Demokratike vlerëson se bllokada e rrugës evropiane e Maqedonisë nga ana e Bullgarisë është gabim katastrofal me pasoja të rënda në raportet mes dy vendeve dhe popujve, ndërsa do të reflektohet edhe në stabilitetin e Ballkanit në tërësi. Të mohohet ekzistimi i popullit dhe gjuhës maqedonase është manifestim i nacionalizmit dhe shovinizmit”, thonë nga Lidhja Demokratike.
Reagimi i tillë dhe paralajmërimi i partisë së Pavle Trajanovit vjen pasi që Instituti ndërkombëtar IFEMES doli me analizë në të cilën e thirr BE-në, fillimisht Gjermaninë të ndikojë ndaj Bullgarisë që të ndalojë me qasjen e tillë, për shkak se, siç theksohet, kjo mund të shkaktojë krizë të re. Por edhe Zaharieva edhe Karakaçanov të cilët këto ditë janë vazhdimisht në mediat bullgare ku me këmbëngulje përsëritin se askush nuk do t’i bëjë të heqin dorë nga kërkesat e tyre, as Gjermania, e as SHBA. Pas një serie me akuza, Zaharieva e ofendoi Maqedoninë se ka regjim totalitar.
“Kuptohet që do të mundohen të sigurojnë mbështetje nga e gjithë bota, supozoj edhe nga amerikanët, nuk befasohem. Atje shumë mirë dhe bukur tingëllon se Bullgaria nuk ka mbështetjen e askujt, unë do ju jap edhe shembuj…por më dukej sikur kontesti me emrin me Greqinë i cili nuk kuptohej nga të gjithë. Ne duhet të gjithë së bashku, ashtu siç i ndihmuam ashtu edhe fuqishëm të këmbëngulim që të ndalojnë me metodat nga Jugosllavia socialiste dhe me regjimin totalitar me të cilin për fat të keq vazhdojnë qe 30 vjet”, theksoi Ekaterina Zaharieva – Ministre e Punëve të Jashtme e Bullgarisë.
Nga VMRO-DPMNE përsëri dolën me akuza se pas takimit në Berlin, pushteti fsheh se është arritur marrëveshje në dëm të popullit maqedonas.
“Askush nuk i përmend heronjtë dhe historinë dhe duam të pyesim se a do të thotë kjo që Zaev, Pendarovski, Dimitrov dhe të tjerët kanë pranuar gjithçka që ka kërkuar fqiu lindor në lidhje me historinë dhe personalitetet historike, përkatësisht heronjtë maqedonas. A do të thotë kjo se Zaev ka hequr dorë edhe nga Goce dhe nga të gjithë personalitetet tjerë dhe ngjarjet historike, në bazë të të cilëve është ngritur shteti dhe identiteti maqedonas”, deklaroi Dimçe Arsovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Bllokadën e parë Bullgaria e dha për Maqedoninë të premten në takimin përgatitor në nivel të ambasadorëve KOREPER. Deri në takimin e Këshillit të ministrave që është caktuar për më 17 nëntor kur duhet të miratohet korniza negocuese për Maqedoninë, mbetën të mbahen edhe 2-3 takime të KOREPER, por nga Bullgaria tani për tani nuk ka paralajmërime se do të japë dritë jeshile për fillimin e negociatave.
