Bisedë telefonike Kovaçevski – Denkov / Ndryshimet kushtetuese brenda dy javëve, pohon Ilhan Qyçyk

TË FUNDIT

Kryeministri Dimitar Kovaçevski këtë mëngjes kishte bisedë telefonike me homologun e ri bullgar, Nikollaj Denkov të cilit ia uroi mandatin me dëshirë për bashkëpunim të suksesshëm. Nga shërbimi qeveritar për mediat njoftojnë se u bisedua për zhvillimin e atmosferës pozitive mes të dyja vendeve.

“Gjatë bisedës u fol se po pritet nga të dyja palët të punojnë për bashkëpunim të mirë ndërqeveritar në interes të qytetarëve dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. U bisedua për rëndësinë e promovimit të retorikës pozitive që kontribuon për besimin e ndërsjellë, si dhe për vazhdimin e dinamikës së agjendës dypalëshe dhe takimet mes ministrave të qeverive”, thanë nga Qeveria e RMV-së.

Nga pala bullgare njoftojnë se gjatë bisedës Denkov i ka thënë Kovaçevskit se qeveria e re po pret nga Maqedonia që t’i pranojë ndryshimet e Kushtetutës siç është dakorduar me kompromisin europian që u arrit vitin e kaluar.

“Çfarëdo që të jenë angazhimet tona për zhvillim pozitiv të marrëdhënieve dypalëshe, ato do të mbeten në plan të dytë ose nuk do të realizohen nëse çështja për vendosjen e bullgarëve në ligjin bazë të Maqedonisë së Veriut nuk zgjidhet në mënyrë adekuate. Në dy shtetet ka forca që nuk dëshirojnë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe po përpiqen që të nxisin tensione. Kabineti bullgar do të jetë burim i qetësisë nën kusht që të mos ketë incidente në Maqedoninë e Veriut, nëse ndodhin, shteti menjëherë do të reagojë”, deklaruan nga Qeveria e Bullgarisë.

Eurodeputeti bullgar Ilhan Kyçuk që këto ditë ishte në Kuvendin e Maqedonisë, theksoi se e kanë njoftuar se brenda dy javëve ndryshimet kushtetuese do të gjenden në Kuvend. Qyçyk po ashtu ka kërkuar shtyrje të votimit të raportit për vendin tonë në parlamentin europian.

“Kjo apo javën e ardhshme propozimet konkrete do të vendosen në komisionin e punës në Qeveri dhe nga Qeveria do të gjenden për shqyrtim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Kuptojmë qartë se nëse Raporti duhet të votohet në shtator, dy ditë para ose pas asaj do të duhet të votohet teksti që ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës pikërisht në këtë pjesë, kjo do të thotë tensione dhe emocione shtese. Unë nuk do ta kisha lejuar këtë si politikan profesional”, vlerëson Qyçuk.

Derisa kryeministri i ri bullgar kërkon që në Maqedoni të mos ndodhin incidente, në Bullgari para vendkalimit kufitar me vendin tonë u mbajt protestë duke e bllokuar hyrjen në vend. Organizator është VMRO-ja bullgare e Krasimir Karakaçanovit ndërsa rasti, siç po thonë, është një vit nga heqja e vetos ndaj Maqedonisë, duke kërkuar të hidhet poshtë plani i Makronit dhe Bullgaria të vendosë një veto të qartë dhe të fuqishme në bazë të marrëveshjes nga 2017.