Si pasojë e tërmetit shkatërrimtar në Nepal kanë vdekur mbi 4300 persona, ndërsa mbi tetë milionë të tjerë mbesin të rrezikuar, kanë njoftuar sot autoritetet nepaleze dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Një zëdhënës i policisë deklaroi se numri i të vdekurve është ngritur në 4352, ndërsa i të lënduarve në mbi 8 mijë.
Sipas burimeve zyrtare, në shtetet fqinje, gjithashtu të prekura nga tërmeti, kanë vdekur së paku 100 persona.
Kryeministri i Nepalit, Sushil Korirala, deklaroi se numri i të vdekurve mund të kalojë shifrën 10 mijë dhe dha urdhër që të intensifikohen përpjekjet për shpëtim.
Zëdhënësi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Farhan Hak, deklaroi se rreth 8 milionë persona mbesin të rrezikuar në 39 qarqe të Nepalit, ndërsa 1.4 milionë kanë nevojë urgjente për furnizim me ushqim.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Nepalin do të ndajë 15 milionë dollarë nga fondi për viktimat e tërmeteve, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë 10 milionë dollarë për rindërtimin e vendit.
Nepali ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare ndihma në ushqim, ilaçe, tenda dhe ka theksuar se ka mungesë të helikopterëve për shpëtimin e njerëzve, por edhe mungesë të njohurive dhe aftësive për përballje me krizën.
