Big Mama fiton “Grand Prix – Best of the Best 2025”! TV21 shpërblen 23 emra të shquar të artit dhe kulturës

TË FUNDIT

Çmimin e edicionit të tetë “Grand Prix – best of the best” për vitin 2025 e fitoi këngëtarja Besjana Kasami – e njohur me emrin artistik Big Mama.

Këtë çmim të spektaklit kulturor-artistik që e organizon Televizioni 21, Big Mama e quajti si dhuratën më e bukur të këtij viti.

“Për këtë fundvit mund të jetë dhurata më e bukur dhe motivimi më i madh që mund t’i jepet një artisti, kështu që jam shumë falënderuese.
Planet për 2026? Ke diçka të na zbulosh?
Unë për plane nuk flas, unë jam njeri spontan këtë e dinë kështu që unë gjithmonë kur bëj plane asnjëherë nuk më dalin planet por spontaniteti çfarë ndodh, ndodh. Normal që pa plane nuk ka vizion, kemi gjëra në kokë po punojmë.”, deklaroi Besjana Kasami – Big Mama.

Aktorja Elhame Bilalli, tashmë në pension, po ashtu u dekorua me çmim, për të cilën u shpreh shumë e lumtur, e për të cilin tha se do ta ruajë si margaritarë në mes çmimeve të tjera.

“Mendoj se për aktorin nuk është kurrë vonë edhe tani jam e gatshme të punojë çdo gjë por jo edhe ta luaj ndonjë vajzë të re”, u shpreh Elhame Bilalli – aktore në pension.

Mes shumë artistëve dhe personaliteteve të tjera nga fusha e kulturës, artit e mediave, me çmim u shpërblye edhe poetja Etleva Tafa nga Shqipëria.

“Çmimi më arritur dhe më i bukur për mua aq më tepër që po e marr dhe në qytetin e Shkupit, aty ku kam marrë dhe çmimet e para të mia të poezisë, është nder sepse çmimet gjithmonë të nderojnë”, potencoi Etleva Tafa – poete.

Gjithsej u ndanë 23 çmime për ata që kanë dhënë kontribut në fushën e tyre dhe kanë shkëlqyer në vitin 2025, por edhe për institucione, si Shtëpisë së Alfabetit në Manastir dhe Festivalit të poezisë “Ditët e Naimit”.


Në këtë spektakël u përkujtua edhe këngëtari Shpat Kasapi, tashmë i ndjerë, e i cili ishte shpërblyer me Grand Prix në një nga edicionet e kaluara.