Bie çatia e objektit të Komunës së Prishtinës, një vajzë përfundon në spital

TË FUNDIT

Një vajzë ka mbetur e lënduar pas rënies së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen Arbëria.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka treguar se e lënduara është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht policia ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Borovci.

Gjendja e vajzës së lënduar sot nga kulmi i objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria” është stabile, por me lëndime të rënda trupore.

Zëdhënësi i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Shpend Fazliu ka bërë të ditur se e lënduara pas 4 orëve pritet t’i kryhen ekzaminime shtesë diagnostike dhe të transferohet për trajtim të mëtejmë në Mjekimi Intensiv Qendror.

‘’Ju konfirmojmë se një paciente 23 vjeçare është duke u trajtuar në Klinikën Emergjente, me gjendje stabile por me lëndime të rënda trupore. Ekipi emergjent dhe ai klinikave diagnostike ka kryer disa nga ekzaminimet e nevojshme dhe pacientja do të jetë në mbikqyrje mjekësore. Pas 4 orëve pritet t’i kryhen ekzaminime shtesë diagnostike dhe të transferohet për trajtim të mëtejmë në Mjekimi Intensiv Qendror’’, tha Fazilu.