Biberaj: Politika shqiptare mbetet e bllokuar dhe jofunksionale

TË FUNDIT

Shqipëria përballet sërish me të njëjtat sfida të qeverisjes problematike dhe abuzimit me pushtetin të politikanëve kryesorë. Kështu u tha në konferencën ndërkombëtare shkencore lidhur me tranzicionin dhe demokracinë shqiptare të organizuar nga Universiteti Evropian i Tiranës.

Studiues nga Shqipëria, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës publikuan studimet e tyre mbi ecurinë e qeverisjes dhe demokracisë shqiptare gjatë 25 viteve nga rrëzimi i diktaturës komuniste.

Krahas Servet Pëllumbit e Ylli Bufit, Spartak Ngjelës dhe Gabriel Partosh, vëmendjen e auditorit e tërhoqi studimi i Elez Biberajt mbi tranzicionin politik nga diktatura në demokraci dhe deri në kohët e sotme. Ai tha se politika shqiptare mbetet e bllokuar dhe jofunksionale dhe se vazhdimësia në pushtet e elitës së vjetër ka ndikuar negativisht, raporton Zëri i Amerikës.

Biberaj tha se pas zgjedhjeve të vitit 2013, vendi rrëshqiti shpejt në stilin e politikës konfiktuale.

“Ashtu si gjatë 25 viteve, drejtuesit kryesorë u treguan politikanë të dobët dhe nuk i besuan kompromisit në qeverisjen demokratike. Elita politike punoi për të shkatërruar kundërshtarin me retorika të ashpra, korrupsioni ka depërtuar në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë, pasuria dhe pushteti janë përqendruar në duart e një grupi të vogël, ndërkohë që pjesë të konsiderueshme të popullsisë jetojnë në varfëri”, tha ai.

Studiuesi Biberaj tha se shkelja e ligjit është bërë një dukuri e përhapur dhe kjo ndikon për keq në ndarjen e pasurive të vendit me punë të ligjshme. Sipas tij, vetë institucionet e zbatimit të ligjit, qeveria, policia, prokuroria dhe gjykatat e kanë minuar luftën ndaj korrupsionit. Ai tha se bllokimi i tejzgjatur politik, rritja e ngadaltë ekonomike dhe një seri skandalesh korrupsioni e kanë dëmtuar rëndë qeverisjen.

Kryetarët e partive, tha ai se kanë pushtet të pakufizuar në partitë dhe në institucionet shtetërore.

“Ata zgjedhin deputetë besnikë ndaj tyre, të gjithë punojnë për fuqinë e kryetarit dhe shumë rrallë ka mendime të pavarura, ndërsa korrupsioni është po aq mbizotërues. Shqiptarët nuk janë të kënaqur me nivelin e demokracisë dhe të ekonomisë së vendit. Çështja është nëse ky regjim hibrid do të bëhet më pak apo me shumë demokratik”, ka theksuar ai.

Në të ardhmen e afërt, sipas tij, demokracia nuk pritet të përmirësohet shpejt, sepse politikanët ndjekin sjellje dhe qëllime personale.