Bexheti pyet kryeministrin për Ligjin për Gjuhët, Mickoski: Në shekullin 21 njerëzit shkojnë në Mars, ju me populizëm mendoni se fitoni pikë

TË FUNDIT

Ligji për gjuhët, i cili ende është para Gjykatës Kushtetuese, ishte tema e pyetjes së deputetit të Frontit Evropian, Blerim Bexheti, drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski. Ai tha se Komisioni i Venecias është shprehur se standardet evropiane për përdorimin e gjuhëve janë minimale dhe se shteti mund të ofrojë të drejta më të gjera, dhe e pyeti kryeministrin nëse mendon të sigurojë kapacitete më të mëdha institucionale për zbatimin e tij.

“Kur i njëjti komision thekson se standardet janë minimale dhe shteti mund të ofrojë të drejta më të mëdha gjuhësore, a do ta respektoni edhe këtë pjesë apo edhe Komisioni i Venecias është i mirë vetëm kur ju përshtatet politikisht. Jam i bindur se në pyetjen tuaj duhet të pranoni përgjigje: A jeni të gatshëm që debati të mos jetë për ekzistimin e ligjit, por për kapacitetet e tij për funksionimin e institucioneve”, theksoi Blerim Bexheti – Fronti Evropian.

Kryeministri Mickoski tha se askush, e sidomos ai, nuk është kundër përdorimit të gjuhës shqipe dhe e akuzoi Bexhetin se i keqpërdor këto tema etnike për, siç tha, të bëjë populizëm të vogël.

“Komisioni i Venecias thotë diçka tjetër, ju citoni diçka tjetër, Komisioni i Venecias jep mendim negativ dhe jep rekomandim në mendimin e tij që në nenin 102 të braktiset zbatimi i dygjuhësisë në sistemin gjyqësor. Njerëzit në shekullin 21 janë ngjitur në Mars, ndërsa ju përpiqeni me populizëm të vogël duke menduar se në këtë mënyrë do të fitoni ndonjë pikë”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryeministër.

Bexheti parashtroi pyetje edhe për ministrin e sistemit politik dhe marrëdhënieve ndërmjet bashkësive, Ivan Stoilkoviq, se çfarë ka bërë për avancimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend të asaj që vazhdimisht bën për afrimin me Republikën Srpska. Stoilkoviq e ftoi në ministri ku, siç tha, nuk është larguar asnjë shqiptar siç ata akuzojnë.