Ish-kryetari i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti ka reaguar në rrjetet sociale pas kallëzimit penal të Policisë Financiare ndaj tij, përcjell TV21. Bexheti thotë se nuk trembet, nga siç i cilëson ai “kallëzimet e fabrikuara”.
“Mos mendoni se me këto “operacione”, konstrukcione politike, kallëzime të fabrikuara apo tentativa për shantazh mund të më ktheni pas, të më trembni apo të më detyroni të devijoj nga qëndrimet e mia politike. Kjo qeveri, e udhëhequr nga struktura antishqiptare dhe vazale, gabon rëndë nëse mendon se mund të heshtë zërin tim dhe të më frikësojë. Kam kaluar presione politike shumë më të mëdha se kaq. Nuk jam tërhequr atëherë dhe nuk do të tërhiqem as sot. Kallëzimet e porositura nuk më ndikojnë. Përkundrazi, më japin edhe më shumë arsye të qëndroj në krah të qytetarëve dhe të luftoj për llogaridhënie, drejtësi dhe demokraci. Unë nuk frikësohem. E vërteta nuk mbyllet me kallëzime politike”, ka shkruar Bexheti.

