Me premtimin se do t’i përmbushë pritjet e qytetarëve për drejtësi dhe joselektivitet, kryeprokurori i ri Nenad Saveski dha betimin solemn para kryetarit të kuvendit. Për Saveskin kjo pozitë është një përgjegjësi e madhe për të cilën është i bindur se së bashku me të gjithë prokurorët do ta kryejnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
“Puna e tyre as nuk fillon, as nuk përfundon me mua. Çdo prokuror ka detyrim ligjor të veprojë sipas lëndëve në shqyrtim. E njoh përbërjen e prokurorisë dhe kam besim tek ata dhe së bashku me ta jam i bindur se do t’i përmbushim pritshmëritë e qytetarëve, në emër të të cilëve, sipas Kushtetutës dhe ligjit, veprojmë ne prokurorët publikë”, tha Nenad Saveski – Kryeprokuror i RMV-së.
Ai premtoi se të gjitha lëndët do të trajtohen në mënyrë të barabartë, pa prioritete dhe selektime. Sipas tij, prokurorët veprojnë sipas ligjeve përkatëse dhe standardeve ndërkombëtare, ndërsa opinioni publik dhe politik kanë të drejtë të kenë pritshmëri dhe të komentojnë punën e prokurorisë.
“Çdo lëndë ka rëndësinë e barabartë, nuk do të bëjë prioritete të lëndëve; dihet vetëm kur ka bazë ligjore se cilat lëndë kanë prioritet. Selektimi nuk bëhet në atë mënyrë, as nga kush do të thirresha se si të veproja; përkundrazi, ekzistojnë rregullativa ligjore mbi bazën e të cilave çdo prokuror publik vepron, ato vlejnë edhe për dje, edhe sot, edhe nesër, edhe në të ardhmen”, pohoi Nenad Saveski – Kryeprokuror i RMV-së.
Për Saveskin, një nga prioritetet kryesore është përmirësimi i kushteve të punës, sepse, siç theksoi, një institucion i varfër nuk mund të luftojë kundër kriminelëve të pasur. Prioritete tjera për të janë modernizimi dhe digjitalizimi i prokurorisë, që të ndiqet puna e çdo prokurori. Ai garantoi punë transparente dhe të përgjegjshme të çdo prokurori publik, duke filluar nga vetja.
“Çdo herë kur do të keni interes për lëndë të caktuar duke filluar nga unë dhe çdo prokuror publik e ka detyrim të përgjigjet në gjithçka që publiku pret të marrë përgjigje”, u shpreh Nenad Saveski – Kryeprokuror I RMV-së.
Përndryshe, dje Kuvendi me 66 vota për, 2 kundër dhe 8 të përmbajtur zgjodhi Nenad Saveskin kryeprokuror të ri të shtetit. Ai bëhet kryeprokurori i nëntë i Maqedonisë që nga pavarësia e vendit. Saveski nga viti 2016 ka qenë gjykatës në Gjykatën Penale Shkup, në departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion. Në vitet 2009-2016 ka punuar si prokuror në Prokurorinë Themelore, ndërsa në periudhën 2004-2009 ka qenë bashkëpunëtor profesional në Gjykatën Themelore të Gostivarit.
Mandati i kryeprokurorit është 6 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
