Kuvendi votoi për dy ministrat e rinj! Me propozim të Kryeministrit Mickoski, deputeti Bekim Sali hoqi dorë nga mandati i tij nga grupi parlamentar i VLEN-it për të kaluar në ekzekutiv si Ministër i Çështjeve Evropiane në vend të Ministrit Orhan Murtezanit, i cili u shkarkua po në të njëjtën seancë të Kuvendit.
Ndërkohë Muhamet Hoxha u emërua Ministër i Ekologjisë në vend të Izet Mexhitit, i cili tashmë është kryetar i Çairit.
“Sot para juve e dorëzoj propozimin për zgjedhjen e dy ministrave me qëllim të funksionimit të plotë dhe ekipimit të Qeverisë dhe sigurimin e vazhdimësisë në punë në resorët kyçe të pushtetit qendror”, tha Mickoski.
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, konstatoi dy zgjedhjet me votat e shumicës.
“Propozimin që Muhamet Hoxha të zgjidhet Ministër i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor e vë në votim. Ju ftoj të votoni! Gjithsej janë votuar 72 deputetë të gjithë pro, nuk ka asnjë kundër e as të përmbajtur. Konstatoj se Muhamet Hoxha është zgjedhur Ministër i mjedisit jetësor dhe p.hapësinor”, tha Gashi.
“Propozoj që Bekim Sali të zgjidhet Ministër i cili do të udhëheqë Ministrinë e çështjeve Evropiane e vë në votim. Ju ftoj të Votoni! Gjithsej kanë votuar 71 deputetë, të gjithë votuan pro, asnjë kundër e as të përmbajtur. Konstatoj se Bekim Sali është zgjedhur Ministër, i cili do të udhëheqë Ministrinë e çështjet Evropiane”, deklaroi Gashi.
Pasi që Sali u ul afër kryeministrit Mickoski, i cili e uroi së bashku me Hoxhën, të dy bënë betimin. Të dy Ministrat e rinj fjalimin procedural e bënë në dy gjuhë si në maqedonisht ashtu edhe në gjuhën shqipe.
Me automatizëm Bekim Sali bëhet edhe Zëvendëskryeministër i parë.
“Deklaroj se funksionin Ministër për çështje Evropiane në Qeverinë e RMV-së do ta ushtroj me ndërgjegje dhe përgjegjësi dhe do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e RMV-së.”
Votimit i parapriu debati nga fjalimet e deputetëve të opozitës nga AKI dhe LSDM dhe të replikave nga deputetët e VLEN dhe VMRO. Të parët i quajtën ndryshimet si dështime, e të dytët si reforma ekzekutivi.
Gjatë seancës se 75-të në Kuvend, e cila u mbajt natën e Krishtlindjeve, derisa debatohej për këto pika të rendit të ditës, disa nga deputetët në vend se sa të përfshihen në debat, e panë më të rëndësishme të bëjnë “scroll” në rrjetet social nëpër celularët e tyre për të përzgjedhur dhuratat e festave të fundvitit.
