Besimtarët ortodoksë festojnë “Ujin e Bekuar”! Stefan Goxho në Ohër dhe Darko Mitreviq në Shkup kapën kryqin

TË FUNDIT

Besimtarët ortodoksë po festojnë festën e madhe të krishterë Epifania – Pagëzimi i Zotit, dita kur përkujtohet pagëzimi i Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan. Për këtë arsye, kjo ditë shënohet me ritin ku klerikët hedhin kryqin në ujërat e lumenjve ose liqeneve, ndërsa besimtarët hidhen për ta kapur atë. Pikërisht në mesditë, Hirësia e Tij – Kryepeshkopi Stefani e hodhi kryqin në lumin Vardar, ndërsa 24-vjeçari Darko Mitroviq ishte ai që arriti ta kapë. Martin Goxho e kapi kryqin në Ohër, ku e pranishme ishte edhe Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e cila uroi festën e madhe.

“Kjo është diçka që na bën më të fortë, na bën njerëz më të mirë, besimtarë më të mirë, sepse ky është momenti kur Zoti u shfaq në të tri Personat e Tij”, tha Siljanovska.

Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se Uji i Bekuar sjell një mesazh të fuqishëm për besimin, guximin dhe gatishmërinë për të ndjekur rrugën e drejtë edhe kur ajo është e vështirë.

“Uji i Bekuar është festa e zbulesës, e pastrimit dhe e përtëritjes, dita kur uji, si burim i jetës, na kujton nevojën për pastërti shpirtërore dhe morale. Qoftë Epifania – Uji i Bekuar të na sjellë forcë shpirtërore, durim dhe urtësi”, tha Mickoski.

Urime për festën erdhën edhe nga Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

“Kjo festë sjell mesazhin e pastrimit shpirtëror dhe shpresës, duke na kujtuar rëndësinë e bashkësisë dhe përkushtimit në ndërtimin e një shteti të përparuar dhe të drejtë. Besimtarëve ortodoksë u uroj që kjo ditë të sjellë paqe të brendshme, ndërsa në shtëpitë e tyre shëndet, mirëqenie dhe qetësi”, deklaroi Gashi.

Kryetari i opozitres LSDM-së, Venko Filipçe, i cili mori pjesë në hedhjen e kryqit, po ashtu me urim për festën e madhe.

“Djaloshit që edhe këtë vit, njësoj si vitin e kaluar, e kapi kryqin, i uroj shumë sukses dhe fat këtë vit. Kërcimi i tij në ujërat e ftohta të Liqenit të Ohrit është dëshmi e një guximi të madh, e force të madhe mendore dhe fizike”, u shpreh Filipçe.

Urime për festën u përcollën edhe nga një numër i madh ministrash, përfaqësues të partive politike, si dhe përfaqësues të bashkësive fetare në vend.