Besimi paralajmëron tatim të ri, për fitimin shtesë

TË FUNDIT

-Me odat ekonomike po diskutohet për tatim të ri, të jashtëzakonshëm mbi fitimin ekstra, sipas shembullit të vendeve evropiane. Ato kompani që kanë mbi 10 milionë euro të ardhura  në nivel vjetor, që janë 20 për qind më shumë se mesatarja e katër viteve, në mënyrë shtesë t’u tatohen të ardhurat ekstra, porosit ministri i Financave Fatmir Besimi.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Besimi thekson se qëllimi i reformës tatimore është krijimi i një sistemi tatimor që do të mundësojë rritje ekonomike të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të përshpejtuar.

“Reforma tatimore nuk ishte vetëm me të ardhurat fiskale, por bazohet në strategjinë për reformën tatimore kur  u miratua nga ana e Qeverisë në dhjetor të viti 2020, ku qëllimet kryesore të asaj reforme është të vendoset një sistem tatimor i cili do të mundësojë rritje ekonomike të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të përshpejtuar, bazuar në teknologjitë e reja dhe përmirësimin e efikasitetit të sistemit tatimor. Si aspekte, fusha dhe parime prioritare të asaj strategjie ishin drejtësi të sistemit tatimor, efikasitet, efektivitet dhe transparencë, si dhe koncepti i gjelbër i sistemit tatimor”, thotë Besimi.

Në fazën e parë të reformave, shton ai, janë prezantuar reformat e politikës tatimore, gjegjësisht të tri tatimeve – tatimi mbi të ardhurat personale, tatimi mbi vlerën e shtuar dhe tatimi mbi fitimin.

“Qasja që të sigurohet një drejtësi më të madhe ishte të rritet baza tatimore, ndërsa në këtë rast të mos vendosim tatime të reja dhe rritje të normave ekzistuese tatimore. Baza tatimore propozohet të rritet në dy baza: njëra bazë është ulja e ekonomisë gri, për të cilën kemi një strategji të veçantë për ekonominë gri dhe aspekti i dytë është duke ulur të ashtuquajturat shpenzime tatimore ose rishikim të listës së përjashtimeve tatimore. Pas debatit  ka rishikim të disa masave  dhe  gjithsej diku rreth 76 milionë euro tani është efekti fiskal i kësaj pakete që është në Kuvend për votim”, saktëson Besimi.

Në pyetjen se pse u hiqet lirimi tatimor për firmat e vogla të cilat kanë të ardhura deri në tre milionë denarë, ndërsa nuk vendosen tatime të reja për firmat që kanë realizuar  fitime milionëshe dhe nëse kanë frikë t’i tatimojnë të pasurit, ministri i Financave thotë se nuk është kështu.