Besa nuk merr pjesë në takimin e liderëve! Kasami: Kovaçevski sabotoi takimin e shqiptarëve për ta shpëtuar BDI-në

TË FUNDIT

Lëvizja Besa nuk merr pjesë në takimin e liderëve të thirrur nga Kryeministri Kovaçevski. Kryetari i Besës Bilall Kasami tha se nuk do të lejojmë që shqiptarët të trajtohen me terme poshtërues të llojit të 20%-shit.

“Shqiptarët janë autokton dhe nuk lejojmë që të trajtohen me terma poshtërues të llojit të 20%-shit. Prandaj Lëvizja BESA nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Kryeministri Kovaçevski i cili luan lojën dhe rolin e shpëtimtarit të BDI-së. Ritheksojmë se nuk kemi asnjë dilemë në integrimet eurointegruese por nuk do të lejojmë që populli shqiptar të trajtohet me poshtërsi në kushtetutën e vendit. Jemi popull shtet formues dhe si të tillë do të duhet të trajtohemi e respektohemi nga ligjet e vendit”, tha Bilall Kasami – Kryetar i Besës.

BESA paraprakisht kishte thirrur partitë shqiptare në takim, ndërsa ftesën e kryeministrit, Kasami e quan sabotim të takimit të partive shqiptare dhe formalitet për ta shpëtuar BDI-në nga llogaridhënia e obligimeve të dala nga deklarata e partive shqiptare.

“Takimi i thirrur nga kryeministri Kovaçevski është formalitet për shpëtimin e BDI-së nga i uljes në tryezë me përfaqësuesit e partive shqiptare në të cilën përfaqësuesi i BDI-së duhej të raportojë mbi realizimin ose jo të obligimeve të marra me marrëveshjen në të cilën si kusht është edhe përfshirja e gjuhës shqipe në kushtetutën e vendit”, deklaroi Bilall Kasami – Kryetar i Besës.

Në takimin e tryezës shqiptare Kasami kishte planifikuar që të diskutohen çështjet e pazgjidhura të shqiptarëve, si heqja e 20%-shit nga kushtetuta, por asnjëra parti nuk pranoi ftesën e tyre.
Kasami shtoi se BESA përkrahë ndryshimet kushtetuese, por nuk tha që kërkesa për heqjen e 20% nga kushtetuta është ultimatum për të votuar PRO.