“Besa” e kushtëzon pushtetin: Së pari zgjedhje të parakohshme, pastaj ndryshimet kushtetuese

TË FUNDIT

Përkrahjen dhe votimin e ndryshimeve kushtetuese, Lëvizja Besa do ta kushtëzojë me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kryetari i Besës, Bilall Kasami tha nëse ka vullnet që të zgjidhen problemet dhe çështjet në pjesën e integrimeve, shpreson se mund të merren vesh edhe për ndryshimet kushtetuese dhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Nëse pushteti do që të bashkëpunojë në pjesën e ndryshimeve kushtetuese, kjo do të thotë se duhet të ulet në tryezë të përbashkët që të arrijmë konsensus për të gjitha çështjet, duke i përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme. Nëse prioriteti i pushtetit është ndryshimi i Kushtetutës dhe futja e bullgarëve në të si popull, atëherë duhet të arrijmë kompromis në pjesën e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo do të thotë se pushteti nëse do që t’i realizojë ndryshimet, patjetër se duhet të ofrojë diçka, e kjo gjë janë zgjedhjet e parakohshme”, tha Bilal Kasami, kryetar i Besës.

Edhe pse paralajmërohet se procesi i hapjes së Kushtetutës mund të fillojë në janar, kryeministri Dimitar Kovaçevski këto ditë theksoi se ndryshimet do të jenë në Kuvend pas konsultimeve politike dhe profesionale, që të sigurohet konsensus sa më i gjerë. Në lidhje me zgjedhjet e parakohshme, u shpreh se këtë kërkesë nuk e pranon dhe se do të ketë zgjedhje të rregullta. Po Kasami thotë se nëse pushteti nuk e pranon kërkesën për zgjedhje të parakohshme në pranverë, atëherë do të ketë zgjerim të opozitës, ndërsa paralajmëroi edhe protesta.

“Do të shqyrtohet mundësia që në pranverë, nëse pushteti nuk i merr parasysh këto probleme dhe të dalë të ballafaqohet me qytetarët në zgjedhje të parakohshme, do të shqyrtohet së bashku me pjesën tjetër të opozitës shqiptare, të organizohen protesta ose një lloje tjera presionesh ndaj pushtetit që i njëjti ta dëgjojë zërin e qytetarëve dhe sa më shpejtë që është e mundur të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, pohoi Bilal Kasami, kryetar i Besës.

Edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski i cili vazhdimisht kërkon që të mbahen zgjedhje të parakohshme, këto ditë tha se ato duhet të mbahen në terminin e parë të mundur, ndërsa mënyra më optimale është që ato të mbahen në pranverë.