BERZh e rriti në 3% parashikimin për rritjen e PBB-së! Maqedonia shënoi rezultate më të mira se të pritshmet

TË FUNDIT

Ekonomia e Maqedonisë këtë vit dhe vitin e ardhshëm do të realizojë rritje prej 3 për qind – projekton Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin e saj vjeshtor. Ky është rishikim i lartë me 0,4 përkatësisht 0,3 pikë përqindje në krahasim me parashikimin e majit të BERZH-it. Në raport thuhet se vendi ka shënuar rezultate më të mira se të pritura në gjysmën e parë të këtij viti, me performanca të forta në ndërtimtari dhe investime të rritura.

“Rritja reale e PBB është projektuar në 3 për qind në vitin 2025 dhe 2026, e mbështetur nga kërkesa e fortë vendore dhe ekzekutimi i përshpejtuar i projekteve publike investuese, posaçërisht ndërtimi i segmenteve të autostradës përgjatë korridoreve panevropiane 8 dhe 10. Investimet e rritura në komunat para zgjedhjeve lokale drejt fundit të vitit 2025 mund të sigurojnë stimul shtesë në afat të shkurtër. Pritet që konsumi i amvisërive të mbetet stabil, i mbështetur nga rritja e pagave reale dhe transferet më të larta qeveritare”, tha BERZh.

Rreziqet sipas BERZH-it burojnë nga kapaciteti i kufizuar fiskal dhe paqëndrueshmëria e jashtme, posaçërisht për shkak të përshtatjeve strukturore në industrinë automobilistike evropiane dhe pasigurisë së rritur globale.

Se do të realizohen parashikimet qeveritare për rritjen e PBB-së këtë vit prej 3,7%, të cilat janë më lart edhe se ato të BERZh-it, optimiste është ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska. Në emisionin Biznes 21 tha se jemi në rrugë të drejtë dhe se posaçërisht gëzon fakti që tani rritjen e gjeneron sektori privat, i cili është motori i ekonomisë, dhe jo shpenzimi publik.

“Ajo që shtesë gëzon dhe inkurajon është fakti se pas një kohe të gjatë rezultate të këqija në ndërtimtari, ose norma shumë të ulëta rritjeje, ose të themi madje edhe përkundrazi të dhëna në minus, ne tani mund të flasim se kemi me të vërtetë norma shumë të larta të rritjes në ndërtimtari prej mbi 7%, apo jo, si një nga veprimtaritë që kanë rëndësi të madhe për Prodhimin e Brendshëm Bruto, e njëjta është edhe me industrinë. Por ajo që mua personalisht posaçërisht më gëzon, është bujqësia. Te bujqësia kemi norma rritjeje”, tha Gordana Dimitrieska Koçoska

Sipas BERZh-it, rritjen më të lartë këtë vit në rajon do ta ketë Kosova 3,9 për qind, Shqipëria 3,5, Mali i Zi 2,6, Serbia 2,5, ndërsa më të ulët Bosnja e Hercegovina 2,2 për qind.