Bërnabiq: Gjatë dhe në mënyrë të detajuar është planifikuar vrasja e Vuçiqit

TË FUNDIT

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi sot se është planifikuar vrasja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe se pretendimet për përgjimin e Vuçiqit dhe afera “Jovanjica” janë përpjekje për grusht-shtet, njofton korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

“Vrasja ishte planifikuar gjatë dhe në detaje. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) janë formuar struktura paralele dhe janë udhëhequr fushata në media, të cilat i kanë transmetuar mediat në rajon m qëllim që të dehumanizohet Vuçiqi dhe prej tij dhe familjes së tij të bëhet klan kriminel”, deklaroi Bërnabiq për TV Pink.

Ajo tha se atentati i Vuçiqit është planifikuar në zbulimin e Përmendores së Stefan Nemanja në Beograd, më 27 janar të këtij viti, por nuk dha detaje dhe se pse prokuroria ka ngritur procedurë kundër përgjegjësve.

“Po ta qëllonin Vuçiqin do të bënin narrativin se është e natyrshme: “Kush e di se në çfarë janë involvuar ai dhe familja e tij”. Në MPB pati shumë. Është monstruoze të mendohet se sa mirë ishte i lidhur ky rrjet”, theksoi Bërnabiq.

Ajo theksoi se shërbimet kompetente merren me këto raste dhe se nuk do të mbrohen pa dallim të “emrit dhe mbiemrit, funksionit dhe përkatësisë partiake”.