Benshemski për TV21: Në Gaza ka nevojë për më shumë ndihma, qesharak vendimi që në ditë të kalojnë vetëm 20 kamionë me ndihma

TË FUNDIT

Zëdhënësi i Human Rights Watch, Ahmed Benshemski në emisionin “21 Analizë” në TV21 ka përshkruar situatën në Gaza dhe thotë se numri i të vdekurve po rritet çdo ditë. Benshemski thotë se kufizimi që vetëm 20 kamionë në ditë të hyjnë me ndihma në Gaza është qesharak, pasi para bombardimeve, kur situata ka qenë e qetë, në këtë pjesë kanë hyrë 100 kamionë me ndihma humanitare.

“Herën e fundit që kemi numëruar kanë qenë mbi 2000 viktima, nëse nuk gabohem, por ndoshta tani janë më shumë. Numri po rritet çdo minutë. Lajmi i fundit që na shqetëson më shumë ka të bëjë me marrëveshjen e shpallur mes Presidentit Biden dhe kryeministrit Netanyahu. Fillimisht ne morëm shpresë sepse u njoftua se do të lejonin hyrjen e ndihmave humanitare përmes pikës kufitare Rafah nga Egjipti, në marrëveshje me Presidentin Sisi të Egjiptit. Por më pas zbuluam se kishte një kufizim, qeveria izraelite do të lejojë deri në 20 kamionë, por jo më shumë se 20. Ky është një numër qesharak i ulët sepse duhet të dini se Kombet e Bashkuara, veçanërisht Zyra për Koordinimin e Ndihmës Humanitare tha se edhe para se të shpërthente lufta, kur situata ishte “normale” në Gaza, sepse asgjë nuk është normale kur je nën bllokadë për 17 vjet, por të paktën nuk ishin nën bombardime të vazhdueshme, para luftës kanë dorëzuar rreth 100 kamionë në ditë me ndihma. Dhe në atë kohë nuk ishin bombarduar dhe kishin ujë, kishin rrymë dhe ushqim bazë. Tani nuk kanë asgjë nga këto, ka një javë e gjysmë pa ujë, pa rrymë, pa ilaçe dhe ushqime dhe do të lejojnë të hyjnë vetëm 20 kamionë. Ky është një numër qesharak i ulët dhe as që mund të fillojë të korrigjojë situatën e rëndë humanitare”, thotë Benshemski.