Edhe pas shkarkimit nga posti Drejtor ekonomik i Klinikës së Gjinekologjisë në Shkup, Valon Bela vazhdon të shpalos fakteve për parregullsitë që bëhen, siç pretendon ai në Klinikën në fjalë.
Bela mbrëmë në emisionin Click Plus tha se motra kryesore dhe shefja e financave në këtë klinikë janë me diploma joadekuate, madje ai i publikoi edhe diplomat e tyre.
Ai tha se në bazë të ligjit dhe marrëveshjes kolektive, nuk lejohet një punësim i tillë dhe se është i dënueshëm në bazë të nenit 353 për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Si ka mundësi që në një Klinik me 530 punëtorë, motra kryesore të jetë filologe e diplomuar. Këtu e kam diplomën e saj si dhe vendimin. Ky është dokument zyrtarë, i Klinikës është vendimi dhe kjo është diploma e saj e cila është e diplomuar në Gjuhë maqedonase dhe literaturë”, u shpreh Valon Bela Drejtor Ekonomik i Klinikës së Gjinekologjisë.
“Ja ku është vendimi për shefen e financave, dhe këtu është diploma e saj e cila është e marrë në vitin 1981 dhe është shkollim i lartë, d.m.th. është shkollim jo adekuat për atë pozicion dhe është sanksionues me ligjet që aplikohen në RMV”, tha Valon Bela Drejtor Ekonomik i Klinikës së Gjinekologjisë.
E pyetëm ministrin e shëndetësisë se a do të ketë përgjegjësi për drejtoreshën e Klinikës. Ai tha se nuk është nën kompetencat e tij. Shkarkimi e Belës tha se ka ardhur pas veprimeve të fundit që u plasuan në opinion.
“Ka një kohë të gjatë isha dëshmitarë i shumë informacioneve nga Klinika, se atje kishte prishje të raporteve mes kolegëve, dhe këto veprimet e fundit që u plasuan në opinion e vërtetuan atë dhe mendoj se kjo ishte e mjaftueshme që të largohet nga detyra”, potencoi Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.
Për rastin në fjalë foli edhe kryeministri Zaev. Ai tha se Bela flet marrëzira sepse e ka marrë mesazhin se do të përfshihet në ndryshimet kadrovike.
“Me zotëri Valon Belën problemet ekzistojnë që moti, ai është një nga drejtorët që ishte pjesë e debatit për ndryshim. Ma merr mendja se ai kur ka dëgjuar se do të ndërrohet ka filluar me këto punë”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Ndryshe Valon Bela u shkarkua nga posti drejtor Ekonomik i Klinikës së Gjinekologjisë dy ditë më parë, pasi ai ngriti zërin për parregullsitë që bëhen në këtë Klinikë dhe vinë si pasojë e keq menaxhimit nga ana e drejtoreshës së Klinikës Viktorija Jovanovska.
Përgatiti: Salije Sadiku
