Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi pohon se as ai e as ndokush nga Qeveria nuk kanë ndërmjetësuar në bisedimet mes banorëve të Sllupçanit dhe EVN-së dhe se nuk e di se çfarë është negociuar këto ditë. VMRO-DPMNE po përhap vetëm lajme të rrejshme, tha Bekteshi dhe shtoi se banorët e Sllupçanit janë qytetarë të ndershëm dhe kanë kontribuar më shumë për shtetin sesa vetë opozita. Humbjet e energjisë elektrike janë shumë më të vogla se sa pallati i bardhë i VMRO-DPMNE-së, tha Bekteshi.
“Ne jemi për respektimin e plotë të ligjeve në vendin tonë dhe jo për të bërë përçarje dhe për ta shtyrë problemin në drejtim të ndarjeve etnike, rajonale etj, sepse ata banorë janë të ndershëm, nikoqirë dhe si çdo qytetar jetojnë në këtë vend dhe ata gjithashtu marrin përsipër përgjegjësitë dhe kontribuojnë, dhe kontribuojnë më shumë se VMRO-DPMNE.”- deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë
Paraprakisht, VMRO-DPMNE kërkoi nga Qeveria dhe Bekteshi që të përgjigjen se çfarë është marrë vesh për rrymën në Sllupçan.
“A është Qeveria, që ndërhyri në këtë kontest borxh-kreditor, garant për banorët e Sllupçanit se do t’u fshihen borxhet apo garant për EVN-në se do t’u paguajnë. A është garant Qeveria se Sllupçani do të marrë tarifë mujore të garantuar për rrymën, pasi ata kërkojnë nga 3.000 denarë, pa marrë parasysh se sa shpenzojnë. Dhe sigurisht duhet t’i jepet përgjigje pyetjes, se pse po ndodh tani ky problem, nëse dihet se vetëm me dy fatura të papaguara, EVN i fik matësit e energjisë elektrike kudo në Maqedoni.”- deklaroi Naum Stoillkovski zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Pas bisedimeve që u zhvilluan këto ditë mes banorëve të Sllupçanit dhe EVN-së për rrjetin e energjisë elektrike dhe faturat e papaguara, tensionet dalëngadalë po qetësohen dhe sipas asaj që është arritur deri më tani, ka gjasa që ata të mund të paguajnë borxhin me këste, por për këtë kërkojnë marrëveshje me shkrim.
