Bekteshi pret mbështetje nga 120 deputetë për riorganizimin në Ministrinë e Ekonomisë

TË FUNDIT

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi deklaroi se pret që një shumicë e madhe e deputetëve në Kuvend ta mbështesin riorganizimin e paralajmëruar në Ministrinë e Ekonomisë.

“Unë jam i bindur se jo vetëm dy e treta, por 120 deputetë duhet të votojnë për zgjidhje të tilla ligjore të cilat miratohen përmes debatit me të gjitha palët e prekura, me ekspertë të jashtëm dhe të brendshëm. Nëse në rast se ndonjë parti politike vendos të mos bëhet reformë e tillë dhe ne të kthehemi prapa, e jo të ecim përpara, ajo është përgjegjësi e tyre. Edhe pse unë nuk besoj se në Kuvendin tonë, përveç që ndoshta një parti politike, E majta për shembull, të tjerët janë kundër reformave”, theksoi sonte ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në emisionin “Top Tema” në televizionin Telma ku sonte ishte mysafir.

Ministria e Ekonomisë për momentin është institucion i cili mbulon 14 sektorë dhe ka tetë agjenci. Deri më 1 korrik të vitit 2023 do të duhet të riorganizohet në pesë drejtori, katër agjenci të bashkohen në dy, dy inspektorate në një dhe të ketë rregullator të unifikuar ekonomik.

Bekteshi theksoi se Ministria e Ekonomisë është një prej tri ministrive të cilat vullnetarisht u paraqitën për pjesëmarrje në projektin pilot për reforma në administratën publike që është i financuar nga Bashkimi Evropian. Dy ministritë tjera janë Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

“Nuk ka mundësi që një institucion me 14 sektorë, të nënshkruhet ministri. E para, nuk mund të arrijë të nënshkruajë qindra licenca, dokumente, njoftime, vendime, mendime. Domethënë duhet të delegohet edhe përgjegjësia dhe puna e drejtorive, e profesionistëve të cilët atë punë do ta përfundojnë sipas dispozitave ligjore, akteve ligjore, rregulloreve dhe rregullave nga të cilat dalin ligjet për të cilët është kompetente një ministri”, theksoi ministri i Ekonomisë.

Ai sqaroi se qëllimi i projektit është që të kemi shërbime më cilësore publike, me shpenzime më të vogla dhe njëherësh të rritet shkalla e profesionalizmit të administratës shtetërore, të ketë shërbime më të mira edhe për qytetarët edhe për sektorin e biznesit.

“Në Ministrinë e Ekonomisë kam thënë dhe do të përsëris se duhet të bëhet një riorganizim i tillë”, përfundoi Bekteshi.