-Deri më 1 korrik do të ketë subvencion nga ana e Qeverisë drejtpërdrejtë përmes EMV-së me konstatim të çmimit të tyre me të cilin shitet energjia elektrike, deklaroi sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Në pyetjen e gazetarëve nëse Qeveria po mendon për rishikim të vlerës së subvencionit të çmimit të rrymës duke pasur parasysh se tani ka dy orë rrymë të lirë gjatë ditës, Bekteshi theksoi se në disa muaj të caktuar subvencioni do të rritet, ndërsa qytetarët të jenë të qetë sepse nuk do të ketë rritje të çmimit për bllokun e parë dhe të dytë.
Qëllimi i vendosjes së tarifës së lirë ditore, theksoi Bekteshi, ishte prej momentit kur pati bum investimesh në pjesën e centraleve fotovoltaike.
“Si Qeveri gjithsesi se subvencionet i japim drejtpërdrejtë përmes punës së EMV-së me konstatim të çmimit të EMV-së të cilin e ofron për furnizuesin universal dhe ashtu do të vazhdojmë deri nga mesi i këtij viti kur duhet të sillet edhe vendimi i ri për çmimin e EMV-së të cilin do t’ia japë furnizuesit universal që është edhe furnizues për të gjitha amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël. Kjo do të thotë se deri më 1 korrik do të ketë subvencion nga ana e Qeverisë drejtpërdrejtë përmes EMV-së me konstatim të çmimit të tyre me të cilin shitet energjia elektrike”, tha Bekteshi.
Siç sqaroi, në muaj të caktuar, gjithsesi subvencioni do të rritet. “për shembull në janar, në shkurt, kemi prodhim më të vogël të energjisë elektrike nga ana e centraleve fotovoltaike, ndërsa nga prilli deri në tetor do të ulet që në fund të vitit me përllogaritjet, metodologjinë e KRRE-së, do të jetë çmimi i njëjtë dhe nuk do të ketë rritje për blloqe të caktuara. Do të thotë, qytetarët të jenë të qetë se nuk do të ketë rritje për bllokun e parë dhe të dytë. Përkundrazi, do të ketë ulje të ofertës për rrjetin shpërndarës”, tha Bekteshi.