Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot në Shtip deklaroi se Qeveria do të sigurojë vauçerë për kategoritë sociale me qëllim zbutjen e krizës ekonomike, përcjell TV21. Bekteshi nuk shpjegoi detaje tjera për mënyrën e realizimit të kësaj mase, por tha se e njëjta do të realizohet përmes Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale.
“Duhet të theksohet fakti se në pjesën e kategorive sociale në shtetin tonë, shtesë përmes Ministrisë për Punë dhe Politik Sociale do të sigurojmë vauçer sistem, me qëllim që të zbusim goditjen pikërisht për familjet që në këtë kohë kanë më tepër nevojë”, tha mes tjerash Bekteshi.
Ndryshe, kryeministri Dimitar Kovaçevski në prezantimin e 26 masave dhe rekomandimeve anti-krizë tha se rreth 35 mijë qytetarë do të marrin vauçerë me nga 1.000 denarë për 3 muaj, me çka do të mund të blejnë produkte bazë për ushqim.
