Bekteshi bashkë me Kovaçevskin do t’i inspektojnë marketet ditën e enjte: Kush nuk ka ulur çmimet, dënime deri në 10 mijë euro!

TË FUNDIT

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në “10 Minuta” në TV21 ka bërë të ditur se masa e Qeverisë, për uljen e çmimeve të produkteve të bulmetit, është duke e zbatuar.

Tha se këtë të enjten, me shefin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski do të dalin në terren për të inspektuar se sa po zbatohet në praktikë kjo masë.

“Kemi vërejtur se kanë filluar t’i zbresin çmimet, duke u bazuar në vendimin e Qeverisë. Mirëpo ulja e çmimeve duhet të ndodh më 16 mars, ditën e enjte. Ditën e enjte, unë bashkë me drejtorin e Inspektoratit të Tregut, besoj se edhe kryeministri, do të dalim në terren dhe ku do të bëjmë edhe kontrollet e duhura. E kemi përsëritur edhe më herët, se ata që nuk do ta zbatojnë vendimin e Qeverisë, i cili është sjellur duke u bazuar në analiza të detajuara, ata me siguri do të dënohen duke u bazuar në Ligjin për tregti, dënime të cilat do të shkojnë deri në 10 mijë euro”, tha Bekteshi.

Shtoi se për paralajmërimin se pritet edhe ulja e çmimeve të vezëve, sheqerit dhe orizit, analizat pritet të përfundojnë deri në fund të kësaj jave. Përfshiu mundësinë që në këtë ulje të futen edhe produktet tjera të shfrytëzueshme nga qytetarët, siç janë produktet higjienike.