Behgjet Pacolli është dorëhequr nga pozita e kryetarit të AKR-së

TË FUNDIT

Behgjet Pacolli i cili mbante postin e kryetarit të Partisë Aleanca Kosova e Re, ka dhënë dorëheqjen para disa javëve nga udhëheqja e kësaj partie.

Lajmin e ka konfirmuar Vesel Makolli, që mbante pozitën e sekretarit të përgjithshëm të AKR-së, por që tashmë është ushtrues detyre i kryetarit të këtij subjekti politik.

“Po, ka dhënë dorëheqje Z.Pacolli para disa jave. Jam ushtrues detyre i pozitës së kryetarit të AKR-së”, deklaroi shkurt Makolli.

I pyetur për arsyet e dorëheqjes, Makolli deklaroi se viteve të fundit Pacolli ka munguar në shumë mbledhje të kryesisë dhe arsyeja e dorëheqjes lidhet me angazhimet e tij personale.

“Në katër vitet e fundit mund të them që vetëm në dy apo tri mbledhje të kryesisë ka qenë. Pra, dorëheqja në këtë pikë është vetëm formale dhe ka të bëjë vetëm me angazhimet e tij personale”, deklaroi Makolli për KOHËN