Pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, sot pasdite në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë, reaguan kreu i Shtetit, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Misioni i OSBE-së.
“Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e pa tolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja. Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale”, ka shkruar Begaj në Fejsbuk.
Kryeministri Rama, shpreh ngushëllimet e tij vëllazërore ndaj familjes së gjyqtarit Kalaja, duke theksuar se agresioni kriminal ndaj gjyqtarit padyshim kërkon përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit.
“Por, kjo tragjedi kërkon mendim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, i cili, krahas asaj se kërkon pajisje të caktuara teknologjike sipas ligjit, nuk mund të mbetet çështje zgjedhjeje midis policisë private në emër të pavarësisë së gjyqësorit. Besoj se kjo ngjarje tragjike është argumenti më i pakontestueshëm në mbështetje të një shtrëngimi të ndjeshëm të dënimit për posedim të paligjshëm të armëve”, shkroi Rama.
Duke shprehur ngushëllimet e tij më të thella familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, Berisha e dënoi ashpër aktin kriminal kundër gjyqtarit në sallën e gjyqit, që, sipas tij, është “provë e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasiguria e madhe që ekziston sot në vend”, duke kërkuar dënimin më të rreptë ligjor për autorin dhe nxitësit e këtij krimi shumë të rëndë.
Vrasja e gjyqtarit u dënua ashpër edhe nga Misioni i OSBE-së, duke vlerësuar se sulmet ndaj gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj sundimit të ligjit dhe institucioneve demokratike. Misioni njofton se solidarizohet me komunitetin gjyqësor të Shqipërisë dhe mbetet i përkushtuar për të mbështetur përpjekjet për të përforcuar sigurinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor.