Begaj nis vizitën zyrtare në Maqedoni! Filloi me Çairin – vendos lule te “Skënderbeu”

TË FUNDIT

Fëmijë të veshur kuq e zi dhe me flamuj në dorë.

Kështu u prit presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj në komunën e Çairit.

Përveç kryetarit të komunës Izet Mexhiti, për ta pritur dolën edhe zëvendëskryeministri Arben Fetai dhe zv/ministrja e transportit Kaltrina Zekolli-Shaqiri.

Pas takimit në komunë, Begaj vizitoi xhaminë e Mustafa Pashës, ku u mirëprit prej myftiut së Shkupit Qenan Ismaili. Këtu mori edhe dhuratë.

E më pas vazhdoi në Çarshi.

Vendosi lule te përmendorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Në agjendën e sotme të Begajt nuk ishin të parapara deklarata për mediat.

Për vizitën foli nikoqiri i sotëm Mexhiti.

“Vizitën e radhës presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj e filloi pikërisht nga komuna e Çairit duke na nderuar dhe duke përfunduar në Çarshinë e Vjetër, në Sheshin Skënderbeu tek monumenti i Skënderbeut dhe për të vazhduar takimet e radhës, pra uroj që të jetë vizitë e suksesshme, vizitë e cila i thellon bashkëpunimet ndërmjet dy vendeve tona”, tha Izet Mexhiti – kryetar i Komunës së Çairit.

Pas kësaj, Presidentit i Shqipërisë vazhdoi agjendën e paraparë. Qëndroi në Komunën e Çashkës, ku u prit kryetari Suat Shaqiri, ndërsa më pas do të vizitojë edhe Jabollçishtën e Epërme.

Nesër, Begaj do të zhvillojë takim me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, do t’u drejtohet deputetëve me fjalim në Kuvend, si dhe do të pritet nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova. Sipas paralajmërimeve, më 28 shkurt ai do të qëndrojë edhe në Tetovë, ku do të pritet nga kryetari i komunës, Bilall Kasami.