Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se prania e Rusisë në kufirin e Ukrainës është shqetësuese, se janë përdorur të gjitha mundësitë diplomatike për të parandaluar një konflikt të mundshëm ushtarak mes dy vendeve dhe se do të aplikohen sanksione të ashpra kundër Rusisë në rast të një konflikti të mundshëm ushtarak.
Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer në Vjenë është takuar me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Në një fjalim të mbajtur në konferencën për media pas takimit, Michel tha se prania e Rusisë në kufirin e Ukrainës është shqetësuese. Ai bëri të ditur se janë vendosur në lëvizje bisedime diplomatike në formate të ndryshme dhe tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë për të vepruar në unitet brenda BE-së lidhur me tensionet në fjalë.
“Të gjithë duam të jemi të përgatitur në një rast të sulmit ushtarak. Në një situatë të tillë do të detyrohemi të aplikojmë sanksione shumë të ashpra. Këtë nuk e dëshirojmë por kurrë nuk do të përulemi kur bëhet fjalë për të mbrojtur stabilitetin dhe sigurinë tonë”, deklaroi Michel.
Ai vuri në dukje se me rrugë diplomatike janë bërë përpjekje serioze për uljen e tensioneve dhe për arritjen e një rezultati. Më tej ai nënvizoi se nëse tensionet në fjalë nuk zgjidhen me rrugë diplomatike është e nevojshme që brenda BE-së të veprohet në mënyrë të bashkuar dhe të vendosur si dhe të sigurohet unitet se si do të kundërpërgjigjet.
“Një kërcënim kundër Ukrainës nënkupton Evropën madje edhe më shumë”, potencoi Michel i cili shtoi se janë në solidaritet me sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi dhe se pavarësisht zhvillimeve shumë shqetësuese po bëjnë përpjekje që ndaj problemit të gjejnë zgjidhje me rrugë diplomatike.
