Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka dënuar vendimin e gjykatës së Mianmarit (Burmas) për të ndëshkuar ish-lideren, Aung Saan Suu Kyi me gjashtë vjet shtesë burgim, nën akuzat për korrupsion.
Seanca gjyqësore është mbajtur me dyer të mbyllura.
Borrell e ka konsideruar dënimin ndaj politikanes 77-vjeçare si të padrejtë dhe ka bërë thirrje për respektim të “dëshirës së popullit”.
“E dënoj vendimin e padrejtë ndaj Aung San Suu Kyi-së për gjashtë vjet shtesë burgim dhe i bëj thirrje regjimit të Mianmarit që menjëherë dhe pakushte ta lirojë atë, të gjithë të burgosurit tjerë politikë, si dhe të respektohet dëshira e popullit”, ka thënë Borrell përmes një postimi në Twitter.
Në raportimet e mëhershme është thënë se Suu Kyi – fituese e Çmimit Nobel për Paqe më 1991 – është shpallur fajtore për keqpërdorim të fondeve në organizatën që ajo ka themeluar.
