Komisioni Evropian, me procedurë të shkruar, do të miratojë sot Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Me këtë rast në Bruksel nuk është paraparë ndonjë zhvillim dhe siç thuhet, këtij vendimi duan t’i japin vetëm një karakter procedural, edhe pse për Kosovën pa dyshim ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm, sepse është marrëveshja e parë gjithëpërfshirëse që Kosova bën me Bashkimin Evropian dhe në bazë të së cilës do të rregullohen raportet për disa vjet në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Me këtë miratim, Komisioni Evropian do të përfundojë pjesën e vet të punës rreth MSA-së me Kosovën, dhe pastaj ajo do t’i kalojë Këshillit ku, me konsensus të të gjitha vendeve anëtare, duhet të miratohet vendimi për të autorizuar nënshkrimin e marrëveshjes. Më pas ajo mund të nënshkruhet.
Zyrtarët evropianë nuk presin ndonjë pengesë për nënshkrimin e MSA-së, sepse nga teksti i saj, thonë disa prej tyre, bëhet qartë se në asnjë mënyrë Kosova me këtë marrëveshje nuk trajtohet si shtet sovran dhe i pavarur.
Pas MSA-së vije faza e aplikimit për vend kandidat, pastaj kandidatura dhe hapja e negociatave përfundimtare për anëtarësim, e që është proces i gjatë.
Ndryshe, procesi i MSA-së me BE-në është një proces përgjatë të cilit vendi që ka dëshirë të krijojë marrëdhënie më të afërta me BE-në – sidomos në fushën e tregtisë së lirë – dhe kalon nëpër reforma legjislative dhe administrative për tu përgatitur për një gjë të tillë. / 21MEDIA
