BE-ja ndan 65,7 milionë euro për Maqedoninë e Veriut

TË FUNDIT

Komisioni Evropian ka miratuar një këst të ri prej 65,7 milionë eurosh për Maqedoninë e Veriut në kuadër të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe mekanizmit për reforma dhe rritje, transmeton TV21.

Nga Qeveria vlerësojnë se kjo mbështetje është dëshmi se vendi po realizon me sukses reformat dhe prioritetet kryesore në përputhje me standardet evropiane.

Mjetet financiare do të fokusohen në fusha të rëndësishme si digjitalizimi, arsimi dhe zhvillimi institucional.

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, tha se vendimi i Komisionit Evropian paraqet një sinjal të fuqishëm besimi ndaj agjendës reformuese të shtetit.

Sipas tij, integrimi evropian nuk mbetet më vetëm aspiratë politike, por po sjell investime konkrete dhe mundësi reale për qytetarët.

Ai theksoi se kjo mbështetje do të jetë motiv shtesë për vazhdimin e reformave dhe forcimin e institucioneve.