Bashkimi Evropian u ka bërë të ditur autoriteteve në Podgoricë se po vëzhgon nga afër zhvillimet në Mal të Zi, veçanërisht në Budva, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira të tregojnë përmbajtje dhe të respektojnë sundimin e ligjit.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Ana Pisonero Hernandes theksoi se të gjitha shkeljet e mundshme të ligjit duhet të zgjidhen nga autoritetet lokale kompetente, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe standardet përkatëse ndërkombëtare.
“Siç ishte komunikuar më parë, BE u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë respekt për sundimin e ligjit dhe parimet demokratike dhe të tregojnë pjekuri politike me qëllim që vetë të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për situatën aktuale, përmes dialogut dhe në frymën e respektit të ndërsjellë”, tha Hernandez./MIA
