Bashkimi Evropian është tërhequr nga oferta drejtuar Kanadasë për të nisur bisedimet mbi mundësinë e anëtarësimit të saj si “anëtare e asociuar”, pas mosmarrëveshjeve mes shteteve anëtare, pikërisht kur pritej të fillonte samiti BE-Kanada në Montreal.
Një draft i deklaratës së përbashkët, që do të publikohet në përfundim të samitit, i cili zhvillohet të enjten dhe të premten, përmban një formulim më të zbutur, duke propozuar “një afrim gjithnjë e më të ngushtë të Kanadasë me BE-në, pa arritur deri te anëtarësimi i plotë”.
Çështja ka nisur pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka befasuar pothuajse të gjithë kur njoftoi në fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit muajin e kaluar se BE-ja do të shqyrtonte mundësinë e “anëtarësimit të asociuar” për Kanadanë.
Deklarata u përshëndet si një moment historik në historinë e BE-së, pasi i ofronte një vendi jashtë Bashkimit lidhje kaq të ngushta me bllokun. BE-ja nuk ka pranuar asnjë shtet të ri anëtar që nga anëtarësimi i Kroacisë në vitin 2013.
Ajo u pa gjithashtu si një shenjë se po jepte rezultate thirrja e kryeministrit kanadez, Mark Carney, në samitin e Davosit në janar, që “fuqitë e mesme” të bashkëpunonin me njëra-tjetrën.
Megjithatë, në vend që të shpallte një program pune për zhvillimin e konceptit të “anëtarësimit të asociuar”, drafti i komunikatës, të cilin e ka parë gazeta The Guardian, thotë se të dyja palët do të “punojnë për të përcaktuar, deri në samitin BE-Kanada të vitit 2027, konceptin e një afrimi gjithnjë e më të ngushtë të Kanadasë me BE-në, pa arritur deri te anëtarësimi i plotë…”.
Ideja e anëtarësimit të asociuar ishte diskutuar edhe më parë për vende si Ukraina, por ishte hedhur poshtë.
Deklarata e von der Leyen i kishte zënë në befasi kryeqytetet e BE-së dhe ka shkaktuar kundërshtime politike dhe ligjore. Meqë “statusi i asociuar” nuk ka një përkufizim të qartë, diplomatët ngritën pikëpyetje, ndër të tjera, nëse Kanadaja do të mund të merrte pjesë në Këshillin Evropian, në organet legjislative apo në proceset vendimmarrëse, pa pasur të drejtë vote.
Në një takim të hënën, ambasadorët e vendeve të BE-së kanë shprehur shqetësime për ofertën e pazakontë, por janë zotuar të përpiqen të gjejnë një rrugë diplomatike për ta tërhequr propozimin për “anëtarësim të asociuar”, pa e vënë në pozitë të vështirë von der Leyen.
Sipas burimeve, Italia ka sugjeruar formulimin “anëtarësim i asociuar, siç propozohet nga Komisioni”, duke lënë që përkufizimi të përcaktohej më vonë nga shtetet anëtare.
Gjermania ka shkur edhe më tej në tërheqjen nga propozimi, duke sugjeruar formulimin “një afrim gjithnjë e më të ngushtë të Kanadasë” me BE-në.
“Duket se askush nuk është konsultuar për anëtarësimin e asociuar, përveç bashkëpunëtorëve më të afërt të (von der Leyen). Shumë shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë, nuk ishin të kënaqura. E gjithë kjo është si të përpiqesh të riparosh avionin ndërsa ai është në fluturim”, ka thënë një diplomat.
Gjermania kishte argumentuar se “anëtarësimi i asociuar” duhet të rezervohej si një hap i ndërmjetëm për vendet kandidate për anëtarësim, si Ukraina apo Mali i Zi, duke vënë në dukje se ky status nuk ka bazë formale në traktatet aktuale të BE-së.
