BDI ka reaguar ndaj koalicionit VLEN, duke i akuzuar për, siç thuhet në reagim, përvetësim të projekteve të realizuara nga qeverisja e mëparshme dhe për përdorim të tyre në funksion të marketingut politik.
Sipas BDI-së, projekti i pishinës së promovuar së fundmi nuk është iniciativë e VLEN-it, por pjesë e planeve dhe investimeve të Qeverisë 2020-2024. Në reagim theksohet se vlera e projektit arrin rreth 1 milion euro, ndërsa gurthemeli është vendosur gjatë mandatit të asaj qeverie dhe financimi është siguruar nga po ajo periudhë qeverisëse.
BDI gjithashtu pretendon se kompania kontraktuese “Eurovia” i kishte përfunduar punimet në kohë, por hapja e objektit është vonuar, sipas tyre, për arsye politike dhe për nevoja propagandistike të VLEN-it. Nga ana tjetër, BDI thekson se qytetarët, sipas tyre, janë të vetëdijshëm se kush i ka realizuar investimet dhe kush po tenton t’i atribuojë ato vetes.
