BDI: Në “Penko” po refuzohet regjistrimi i nxënësve shqiptarë, është mbyllur një paralele në gjuhën shqipe

TË FUNDIT

Nga Dega e BDI-së në Butel thotë se disa nxënës nuk janë pranuar në shkollën “Petar Zdravkovski-Penko”, me arsyetimin se nuk i përkasin rajonit të kësaj shkolle, përcjell TV21. Nga BDI pretendojnë se në këtë shkollë po lejohet regjistrimi i nxënësve që nuk i përkasin rajonit, por që janë në paralelet maqedonase dhe turke. Nga BDI gjithashtu pretendojnë se në këtë shkollë është marrë vendim për të mbyllur një paralele shqipe.

“Në këtë shkollë disa prindër kanë fëmijët e tyre më të mëdhenj që ndjekin mësimin, ndërsa fëmijës më të vogël këtë vit nuk i lejohet që të regjistrohet këtu, duke i detyruar prindërit t’i dërgojnë në shkollë tjetër. Kërkojmë nga institucionet kompetente që të shqyrtojnë me seriozitet situatën e krijuar, ankesat e prindërve, kriteret e regjistrimit dhe mbylljen e paraleles në gjuhën shqipe. Njëkohësisht kërkojmë që shkolla fillore “Petar Zdravkovski-Penko” të pranojë dhe shqyrtojë të gjitha kërkesat e refuzuara për regjistrimin e nxënësve dhe të kthehet paralelja e mbyllur në gjuhën shqipe”, tha mes tjerash Armend Murseli, këshilltari i BDI-së në Komunën e Butelit.