Bashkimi Demokratik për Integrim ka në plan të verifikojë pastërtinë e figurës së atyre që janë ose pretendojnë të bëhen anëtarë të partisë.
Këtë po mendon ta bëjë përmes një procesi vetingu, që do të zhvillohej në dy faza.
“E para është veting për t’u bërë anëtarë i strukturave të BDI-së që nga këshilli vendor, deri tek dega, këshilli i përgjithshëm, kryesia, kongresi e kështu me radhë, kurse pjesa e dytë e vetingut është për çdo individ që pretendon të bëhet funksioner dhe t’i shërbejë qytetarëve”, tha Artan Grubi nga BDI.
Faza e dytë pra nënkupton veting për zyrtarët shtetërorë, që do të rregullohej me ligj dhe përmes një trupi të veçantë rregullatorë.
“Do të jetë një proces i kontrollimit të figurave të propozuara për funksionarë, qofshin ata ministra, deputetë, kryetarë komunash, drejtorë, zëvendësdrejtorë, sekretarë shtetërorë, këshilltarë, çdo funksion publik, ose gjykatës, prokurorë që pretendojnë t’u shërbejë qytetarëve të kalojë nëpërmjet procesi të vetingut i cili do të konfirmojë pastërtinë e secilës prej figurave e cila do të zgjidhet”, u shreh Artan Grubi nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Deputeti integrist tha se BDI sapo ka filluar ta përpilojë projektligjin ndërsa nuk beson që kjo nismë të kundërshtohet nga ndonjë parti politike. Deputeti i koalicionit qeverisës, Kostadin Kostadinov pret që për këtë çështje fillimisht të flasin brenda partive të tyre e më pas e njëjta temë të hapet edhe në takimet e liderëve të LSDM-së dhe BDI-së që pritet të ndodhin.
“Sipas meje personalisht nuk ka asnjë problem për veting, propozimi është i mirë por gjithsesi bëhet fjalë për parti të mëdha, bëhet fjalë për vendim të brendshëm partiak, kështu që u mbetet organeve të partisë përmes një procedure adekuate në kuadër të partisë të sjellim vendim”, theksoi Kostadin Kostadinov nga LSDM.
Vetingu është proces përmes të cilit kontrollohet integriteti i zyrtarëve publikë, se si i njëjti ka avancuar në karrierë, ka arritur një pasuri të caktuar ose nëse eventualisht ka bërë shkelje që përbën vepër penale. Deputeti Grubi sqaroi se procesi i vetingut nuk ka asgjë të përbashkët me ‘fshesën’ e paralajmëruar për kabinetin qeveritar.
Përgatiti: Besir Arifi
