“Ai po vjen” është slogani i fushatës së fundit të cilën e ka nisur BDI. I pari e postoi Artan Grubi e pastaj edhe funksionarë dhe aktivistë tjerë integristë. E pyetëm Grubin se për çfarë bëhet fjalë, por nuk u përgjigj. Por me shumë gjasa BDI po e paralajmëron kryeministrin e parë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Për Kryeministër të parë shqiptarë në 100 ditët e fundit të kësaj Qeverie ishin dakorduar kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe Kryetari i atëhershëm i LSDM-së Zoran Zaev. Por a do ta respektoj këtë marrëveshje dhe a do të lëshojë pozitën e tij të kryeministri i tanishëm Dimitar Kovaçevski!?
“Për dallim nga VMRO DPMNE, LSDM marrëveshjet e koalicionit i respekton. Kjo sa i përket kryeministrit i cili do të mbaje rol teknik, do të ndodh në fund të vitit të ardhshëm , pra në 100 ditët e mandatit të kësaj Qeverie dhe jemi të sigurt se në zgjedhjet të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm ne do ta marrim përkrahjen e qytetarëve dhe përsëri kryeministri do të jetë nga radhët e LSDM-së”, tha Dimitar Kovaçevski – kryeministër.
Për këtë u pyet edhe Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoksi, por ai nuk u përgjigj drejtpërdrejt, megjithatë kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, pa nevojën për zgjedhjen e Qeverisë Teknike.
“Për zgjedhje në maj, ja le të jetë edhe pjesa e parë e qershorit. Jemi në dispozicion, menjëherë, nuk ka nevojë për qeveri teknike. Me Oliver Spasovskin si ministër i MPB-së, me këdo qoftë që është atje kryeministër. A do të mbetet ky, a do të vijë dikush tjetër…dhe kështu me radhë”, deklaroi Hristijan Mickoksi – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Por në konferencë Kovaçevski e bëri të qartë se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë dhe se ato do të jenë të rregullta.
Ndryshe BDI në fushatën e fundit zgjedhore premtonte se nëse i fitojnë zgjedhjet, Naser Zyberi do të jetë kryeministër shqiptar i Maqedonisë. Pas marrëveshjes me Zaevin për koalicion qeveritar, u pajtuan që në 100 ditët e fundit të Qeverisë, BDI të propozojë një emër shqiptar për kryeministër.
