Sot janë inspektuar aktivitetet ndërtimore për ndërtimin e kolektorit fekal dhe kanalizimet fekale dhe atmosferike në Bllokun Urban 21 në komunën e Gostivarit, thuhet në kumtesën e Bashkimit Demokratik për Integrim.
Nga atje shtojnë se me këto investime kapitale rritet cilësia e jetës, investohet në mbrojtjen e mjedisit dhe kujdesemi për çdo qytetar, sepse të gjithë meritojnë kushte dhe mirëqenie më të mira për jetë.
“BDI vlerëson se, fondet prej rreth 130 milion denarë, për këtë projekt janë siguruar nga buxheti i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, dhe duhet t’u shërbejnë 2720 banorëve të Bllokut Urban 21 në qytetin e Gostivarit, derisa gjatësia e përgjithshme e kolektorit fekal është rreth 4.7 km, ndërsa gjatësia e përgjithshme e rrjetit të kanalizimeve për Bllokun Urban 21 është rreth 2.8 km kurse projekti parashikon ndërtimin e edhe të kanalizimeve me gjatësi prej 2.4 km, derisa nga buxheti për vitin 2021, 6.000.000 denarë janë paraparë edhe për ndërtimin e sistemit të kanalizimeve për vendbanimet Çajle, Forinë, Mlaki dhe Zonën 7”, thuhet në kumtesë./TV21
